Zbardhen detaje nga aksioni në Shkodër, zbardhet dëshmia e shoferit

Detaje kanë dalë nga operacioni i policisë në lagjen Kiras të Shkodrës për kapjen e Bajram Bregu alias Barush Bregu 2 ditë më parë. Mësohet se Bregu qëlloi me armë zjarri gjatë ndjekjes nga forcat e policisë dhe më pas u arratis. Burimet për mediat bëjnë me dije se Bregu po udhëtonte në një automjet të drejtuar nga Ervis Baba, 43 vjeç, së bashku me një 17-vjeçar.

Patrulla e forcave “Shqiponja” u ka bërë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë duke u larguar me shpejtësi. Pasi janë larguar në një rrugicë, Bregu ka zbritur nga automjeti dhe teksa po largohej me vrap, ka qëlluar një herë në ajër me pistoletë.

Më pas policia rrethoi zonën, por i dyshuari arriti të largohej duke përfituar nga rrugicat dhe oborret e brendshme të lagjes, duke i shpëtuar arrestimit. Në kuadër të operacionit u arrestua drejtuesi i mjetit, Ervis Baba, i cili gjatë marrjes në pyetje ka mohuar se ka njohje me Bajram Bregun. Ai ka deklaruar para hetuesve se e kishte marrë rastësisht në makinë një person që i kishte bërë shenjë në rrugë.

“Një person më nxori dorën në rrugë teksa po ecja me makinë. U ndala dhe e mora, por unë nuk e njoh se kush ishte. Nuk kam asnjë lidhje me të dhe nuk e di nëse ishte Bajram Bregu apo dikush tjetër”, mësohet të ketë thënë 43-vjeçari për policinë.

The post Zbardhen detaje nga aksioni në Shkodër, zbardhet dëshmia e shoferit appeared first on Lapsi.al.