U ndjeva e lënduar nga Peleshi dhe gratë socialiste që nuk reaguan –

Një përplasje e fortë verbale u regjistrua dje në Kuvend, ku kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ofendoi rëndë deputeten demokrate Albana Vokshi duke iu drejtuar me shprehjen se për të kishte numrin “0900”.

Deklarata e Ballës shkaktoi reagime të menjëhershme dhe indinjatë nga deputetët e opozitës. Demokratët e cilësuan gjuhën e përdorur si fyese dhe të papranueshme për një institucion si Parlamenti.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, deputetja Albana Vokshi reagoi për incidentin, duke theksuar se dhuna psikologjike institucionale nuk duhet të ketë vend në Parlament.

Ajo shtoi se situata u menaxhua në mënyrë të turpshme, ndërsa kritikoi edhe heshtjen e deputeteve socialiste për gjuhën seksiste të përdorur nga kreu i grupit parlamentar të shumicës.

Deputetja demokrate tha gjithashtu se ka qenë më herët objekt fyerjesh dhe presionesh politike. “E kam vuajtur në lëkurë edhe fyerjen e Edi Ramës. Partia juaj ka pushkatuar gratë. Unë nuk pres ndjesë, të mos tallemi… është një ndjesë mashtrim që as unë dhe asnjë nga ne nuk e hamë dot”, u shpreh Vokshi.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për kërcënime dhe shantazhe ndaj saj dhe familjes.

Vokshi:

Falënderoj kolegët që u bashkuan në një mendim që dhuna psikologjike institucionale nuk ka vend në Parlament. Nuk jam ndjerë e fyer nga ajo që u tha dje, sepse njerëz me veprime si të tijat e turpërojnë Parlamentin. Por jam ndjerë e lënduar për mënyrën sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën. E menaxhoi në mënyrë të turpshme dhe nga ana e grave deputete të PS për gjuhën seksiste që u përdor nga kryetari i grupit tuaj parlamentar.

Nuk di se cila prej çështjeve që fola unë e preku kryetarin e grupit tuaj. Unë kam bindjen se shënjestrimi ishte politik, nuk ishte i rastësishëm. Po tentojnë të godasin opozitën dhe gratë deputete të opozitës. Këdo që ngre zërin. E kam vuajtur në lëkurë edhe fyerjen e Edi Ramës. Partia juaj ka pushkatuar gratë. Unë nuk pres ndjesë, të mos tallemi… ndjesë mashtrim që as unë, asnjë nga ne, nuk e hamë dot. Të kalojmë te dhuna që ushtron partia juaj ndaj grave. Më kanë kërcënuar dhe shantazhuar. Më kanë kërcënuar mua dhe vajzën time. Më kanë përjashtuar 3 muaj duke më hequr të drejtën e fjalës.