‘Na shtroni 500 metra rrugë’, banorët, bllokojnë nënkalimin e autostradës Thumanë–Kashar

Sot, banorët e fshatrave të Njësia Administrative Thumanë protestuan për të tretën herë radhazi pranë nënkalimit të autostradës Thumanë–Kashar, duke bllokuar qarkullimin për rreth një orë.

Shkak i protestës është gjendja e rënduar e rrugës së Gramzës, e cila është dëmtuar nga automjetet që devijojnë nga autostrada, si dhe mosinteresi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARSH) dhe Bashkisë Krujë për investime dhe rikonstruksion të saj.

Rruga prej rreth 500 metrash është thelbësore për banorët e zonës, por prej kohësh është lënë jashtë vëmendjes së institucioneve.

“Këto makinat e mëdha na e kanë dëmtuar, 500 metra rrugës është. Vij prej pune nga Thumana deri në Gramës, dua tre orë të shkoj të shtëpia. 500 metra rrugë është, të na e shtrojnë me asfalt. Të mos kalojnë makinat e tonazhit të rëndë, ose të bëjnë rrethrrotullimin. Erdhën hodhën çakëll për t’i mbyllur sytë njerëzve”, tha njëri prej protestuesve.

“Nuk është hera e parë që po bëhet protesta, nuk po kërkojmë diçka të veçantë, 500 metra rrugë ta shtrojnë se nuk i kushton asnjë. Ky ka qenë asfalt i rregullt, e kanë prishur. Një rrugë 500 metra duam, një ditë punë e kanë. Na premtuan dalje në autostradë, kjo është skandal. Kalojnë makinat e tonazhit të rëndë”, tha një tjetër.

Aktivisti Aulon Kalaja, i cili shpesh parashikon dhe ngrit shqetësimet e komunitetit, ishte prezent gjatë protestës, duke u bërë zëri i banorëve dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.

Banorët apeluan për investime të menjëhershme në rrugët e dëmtuara të Krujës, një nga zonat më pak të investuara, ku mungesa e infrastrukturës po rëndon jetën e përditshme të komuniteteve rurale.

Protesta u zhvillua pa incidente serioze, por tregoi frustrimin e thellë të banorëve ndaj mungesës së veprimit nga autoritetet dhe rëndësisë së zgjidhjes së problematikave infrastrukturore që kanë të bëjnë me sigurinë dhe qarkullimin në zonë.

 

The post ‘Na shtroni 500 metra rrugë’, banorët, bllokojnë nënkalimin e autostradës Thumanë–Kashar appeared first on GIJOTINA.