Radhë kilometrike trafiku në juglindje, plasaritet edhe aksi alternativ Maliq–Gramsh

Bllokimi pa afat i aksit Librazhd–Prrenjas ka shkaktuar radhë kilometrike automjetesh, pasi rrëshqitjet e dherave rrezikojnë shembjen e urës në zonë. Kreu i ARRSH-së u ka bërë thirrje qytetarëve ta shmangin këtë segment për të mos mbetur të bllokuar, ndërsa zyrtarisht është rekomanduar përdorimi i itinerarit alternativ Maliq–Lozhan–Moglic–Gramsh–Elbasan deri në stabilizimin e situatës.

Por edhe aksi alternativ Maliq–Gramsh po përballet me dëmtime serioze. Në disa segmente janë shfaqur plasaritje të thella në trupin e rrugës, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve.

Kjo rrugë, që aktualisht mbetet lidhja e vetme e hapur mes juglindjes, Elbasanit dhe Tiranës, ka pasur probleme edhe më herët, por ditët e fundit amortizimi është përkeqësuar ndjeshëm, duke shtuar shqetësimet për sigurinë dhe lëvizjen në këtë zonë.

The post Radhë kilometrike trafiku në juglindje, plasaritet edhe aksi alternativ Maliq–Gramsh appeared first on Lapsi.al.