Një “déjà vu” u shfaq para lojtarëve, drejtuesve e tifozëve të Partizanit, ku Saliou Sembene u shemb në fushë në Arenën e Demave pa ndjenja, duke tronditur gjithë ambjentin sportive që ndiqte ndeshjen edhe përmes ekranit të TV. Në memorje erdhi menjëherë i ndjeri Rafael Dëamena, që me Partizanin si kundërshtar në një ndeshje fatkeqe në Rrogozhinë humbi jetën në fushë. Paniku u rrit në gjestet e bëra me duar në kokë e thirrje emergjente ndaj mjekëve të lojtarëve në fushë, që shkuan të parët të ndihmonin qendërmbrojtësin e kuq, por për fat gjërat shkuan ndryshe dhe 24 vjeçari nga Senegali u përmend, edhe pse doli nga fusha me barelë.
Saliu Sembene pësoi një kolaps në minutën e 85-të të ndeshjes, ndërsa Partizani po luante përballë Elbasanit. Lajmet premtuese u dukën që në fillim, me lojtarin që nuk u fut në ambulancë, por u shoqërua me barelë jashtë fushës dhe me njoftimin se ishte përmendur. Takimi ndërkohë qëndroi i ndërprerë për pesë minuta nga gjyqtari Eldorjan Hamiti dhe në përfundim të sfidës që përfundoi 2-2 erdhi një tjetër e dhënë e rëndësishme nga tekniku Oltion Kërnaja në intervistë për Supergol: “Gjendja e Sembene është e stabilizuar. Falë Zotit nuk ka ndonjë gjë, tani po bëhen kontrollet speciale, çdo gjë është nën kontroll.
Rezultati i kontrolleve
Tani ka ardhur edhe njoftimi zyrtar nga Partizani, pasi Sembene iu nënshtrua kontrolleve të hollësishme mjekësore: “Klubi Partizani dëshiron të informojë opinionin sportiv dhe publikun e gjerë mbi gjendjen shëndetësore të lojtarit Saliou Sembene. Mbrojtësi ynë iu nënshtrua ekzaminimeve të detajuara mjekësore pranë “Spitalit Amerikan”, ku fatmirësisht rezultatet kanë qenë plotësisht normale. Lojtari gëzon shëndet të plotë. Ai ka lënë ambjentet e spitalit dhe aktualisht i është bashkuar ekipit në ambjentet e hotelit të klubit”.
Sipas asaj që është konstatuar, mbrojtësi i Partizanit pati vetëm një kolaps të momentit, ndërsa nuk ka pasur asnjëherë tjetër problemed he gjithcka është në rregull.
The post U shemb në fushë pa ndjenja, Partizani tregon gjendjen e Sembene pas kontrolleve appeared first on Lapsi.al.