Arratisja e Altin Ndocit/ Lihet në qeli ish-drejtori i Burgut të Durrësit, ‘arrest shtëpie’ për mjeken

Gjykata e Durrësit ka lanë në fuqi masën “arrest në burg” për drejtorin e arrestuar të burgut të Durrësit Indrit Cërloj, dhe arrest në shtëpi për mjeken e institucionit Ylfete Sema, të cilët u arrestuan pak ditë më parë pas arratisjes së Altin Ndocit.

Cërloj dhe Sema akuzohen për shpërdorim detyre dhe ndihmë në realizimin e planit të arratisjes së Ndocit.

Gjithashtu pak ditë më parë gjykata la në qeli 3 nga 8 të arrestuarit e tjerë, ndërsa dy të tjerë u lanë arrest shtëpie dhe tre detyrim paraqitjeje.

Konkretisht:

Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Arrest në burg

Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve – Arrest në shtëpi

Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitje

Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve –  Arrest në burg

Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Arrest në burg

Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitje

Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitje

Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës – Arrest në shtëpi

Ndërkohë një ditë më parë u ekzekutua vendimi i gjykatës për masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës Indrit Cërloj dhe “arrest në shtëpi ” për mjeken e burgut, Ylfete Sema.

Si ndodhi arratisja e Altin Ndocit

Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit.

Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit.

Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.

The post Arratisja e Altin Ndocit/ Lihet në qeli ish-drejtori i Burgut të Durrësit, ‘arrest shtëpie’ për mjeken appeared first on GIJOTINA.