Përmbyset ambulanca në Rrugën e Kombit, disa automjete përplasen nga akulli –

Dy aksidente rrugore janë regjistruar në Rrugën e Kombit gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar probleme në qarkullim dhe rrezik për përdoruesit e rrugës.

Sipas informacioneve paraprake, një ambulancë është përmbysur në rrugë. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë prania e akullit në asfalt, e cila ka vështirësuar kontrollin e mjetit.

Ndërkohë, në një tjetër segment të kësaj rruge, është regjistruar edhe një aksident zinxhir, ku disa automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, gjithashtu për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për normalizimin e qarkullimit dhe sigurimin e zonës.

Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit, veçanërisht në segmentet ku rruga është e mbuluar me akull.