Shpërthimi me një të vdekur në Shkodër, OSHEE përplaset me Policinë. Kush gënjen? –

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur paraditen e sotme qytetin e Shkodrës, ku si pasojë ka humbur jetën një 55-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike, duke shkaktuar dëmtime të rënda dhe humbjen e jetës së shtetasit Hysni Ymeri, i cili u transportua në Spitalin Rajonal Shkodër, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

“Rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike. Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.

Por nën lupën e hetimeve është edhe pista e një atentati, për shkak të fuqisë së shpërthimit dhe dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara në zonë. Njësia antieksploziv është nisur nga Tirana për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit.

Nga ana tjetër, OSHEE ka deklaruar se shpërthimi nuk ka ardhur si pasojë e boksit të matësave të energjisë, duke shtuar dyshimet për vendosjen e një lënde shpërthyese në zonën e sahateve.

“Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të boksit të matësave në pallat,” thuhet në deklaratën e OSHEE-së.

Një grup hetimor ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa hetimet vijojnë.