AKSK paralajmëron qytetarët për mesazhe mashtruese në WhatsApp, mos i hapni

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK, ka lëshuar një paralajmërim publik për rritjen e rasteve të sulmeve phishing në aplikacionin WhatsApp, ku qytetarët po përballen me mesazhe dhe linqe mashtruese që synojnë marrjen e kontrollit të llogarive të tyre.

Sipas AKSK-së, sulmuesit dërgojnë mesazhe që duken zyrtare dhe kërkojnë kode verifikimi, ose i drejtojnë përdoruesit drejt faqeve të rreme të autorizimit, duke rrezikuar sigurinë e të dhënave personale.

Autoritetet u bëjnë thirrje përdoruesve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin këto masa sigurie:

Të mos klikojnë në linqe të dyshimta
Të mos ndajnë asnjë kod verifikimi, edhe kur mesazhi duket zyrtar
Të kontrollojnë pajisjet e lidhura në WhatsApp (Settings → Linked Devices)
Të aktivizojnë verifikimin me dy faktorë (2FA)

AKSK thekson se vigjilenca dhe raportimi i rasteve të dyshimta janë thelbësore për parandalimin e këtyre sulmeve kibernetike. Për më shumë informacion dhe rekomandime zyrtare mbi fushata të ngjashme phishing, qytetarët ftohen të konsultojnë materialin informues të publikuar nga autoritetet përkatëse.

The post AKSK paralajmëron qytetarët për mesazhe mashtruese në WhatsApp, mos i hapni appeared first on GIJOTINA.