Goditet grupi i trafikimit të drogës në Greqi, mes të arrestuarve edhe këngëtari nga Tepelena

Policia greke ka goditur një organizatë kriminale të trafikut të drogës në Athinë, duke arrestuar katër persona, përfshirë edhe këngëtarin shqiptar nga Tepelena, Kostandinos Jorgji, i njohur me emrin artistik “For3al”.

Operacioni u zhvillua në pasditen dhe mbrëmjen e së martës, më 16 dhjetor 2025, nga Nëndrejtoria e Narkotikëve, e cila arrestoi dy shtetas shqiptarë, 55 dhe 30 vjeç, dhe dy shtetas grekë, 22 dhe 30 vjeç, të cilët u kapën duke poseduar lëndë narkotike me qëllim trafikimi.

Hetimet zbuluan se organizata kishte një strukturë të mirëorganizuar dhe rolet e ndara qartë.

55-vjeçari shqiptar, kreu i organizatës kriminale, ishte përgjegjës për gjetjen, ruajtjen e drogës si dhe për mbledhjen dhe ruajtjen e fitimeve të organizatës kriminale, 30-vjeçari Kostandinos Jorgji, ishte zëvendëskryetari i organizatës kriminale dhe ishte përgjegjës për ruajtjen e lëndëve narkotike, së bashku me 55-vjeçarin.

Një shtetas 22-vjeçar grek ishte përgjegjës për ruajtjen dhe sigurimin e drogës, së bashku me 55-vjeçarin dhe 30-vjeçarin, si dhe për dorëzimin e sasive të drogës te transportuesi i organizatës, në mënyrë që ato të shpërndaheshin më pas te trafikantët dhe përdoruesit e tjerë.

Ndërsa një tjetër shtetas grek 30-vjeçar, ishte përgjegjës për transportin dhe trafikimin e sasive të lëndëve narkotike.

Mësohet se ata tregtonin sasi marijuane dhe hashashi çokollatë te individë të ndryshëm, duke e shitur marijuanën për 2.500 euro për kilogram dhe hashashin çokollatë për 5.000 euro për kilogram.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan 1.907 gramë hashash çokollatë, 15.153 gramë marijuanë, një automjet, një motorr, një jelek antiplumb, katër peshore precize, një numërator parash, katër celularë dhe 51.490 euro. Vlera e përfitimeve të paligjshme nga aktiviteti i tyre kap shifrën mbi 95.000 euro.

Vërehet se 55-vjeçari dhe 22-vjeçari kanë qenë të përfshirë në të kaluarën në vepra të ngjashme dhe të tjera penale. Personat e arrestuar u dërguan në Prokurorinë kompetente dhe iu referuan një oficeri hetues.

gijotina.com/

 

The post Goditet grupi i trafikimit të drogës në Greqi, mes të arrestuarve edhe këngëtari nga Tepelena appeared first on GIJOTINA.