Sponsorizimi në sport, futen edhe Komiteti Olimpik me federatat, Balla rrëzon propozimet e Braçes (VIDEO)

Me 84 vota pro është miratuar dje projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit, si dhe për herë të parë vendoset si detyrim për bizneset online të deklarojnë NIPT-in në faqet e tyre.

Debati i Taulant Ballës me Erion Braçen

Socialistët rrëzuan një amendim të Erion Braçes, ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla premtoi që në seancat në vijim do të kishte propozime ligjore nga Ministria e Financave dhe Ministria e Turizmit, Sportit dhe Kulturës për të ndryshuar “Ligjin për sponsorizimet”.

Ai u kujtoi ministrave se qysh në shtator, kryeministri Rama u kishte dhënë urdhër të sillnin ligjin për sponsorizimet, ku sipas tij do të përfshihen më shumë kategori, siç është kultura dhe shkenca.

Ja ndryshimi që u miratua

Në legjislacionin aktual, sponsorizimet në sport njihen si shpenzime të zbritshme vetëm për ekipet sportive deri në nivelin 5% të fitimit para tatimit. Me ndryshimin e propozuar, parashikohet që kjo kategori të zgjerohet, duke përfshirë edhe federatat sportive, komitete oplimpike dhe sportistët e nivelit të lartë, që kanë fituar tituj për meritë, me qëllim rritjen e mbështetjes financiare për sportin elitar dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive. Në këtë mënyrë, bizneset private do të kenë mundësi të njohin si shpenzim të zbritshëm sa trefishi i shumës së sponsorizuar, deri në kufirin 5% të fitimit para tatimit. Ky incentivim fiskal pritet të ndikojë në forcimin e sportit kombëtar dhe promovimin e vlerave sportive shqiptare brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në relacionin e projektligjit për ‘Tatimin mbi të Ardhurat. Këto lehtësi e ndryshime pasqyrohen edhe në nene të caktuara tek ligji i njohur si i ‘fiskalizimit’.

gijotina.com/

The post Sponsorizimi në sport, futen edhe Komiteti Olimpik me federatat, Balla rrëzon propozimet e Braçes (VIDEO) appeared first on GIJOTINA.