Behgjet Pacolli jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë Aleanca Kosova e Re

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë që e themeloi në vitin 2006.

Lajmi është konfirmuar ish-sekretari i përgjithshëm i partisë, Vesel Makolli, i cili është caktuar si ushtrues detyre i kryetarit të AKR-së.

Ai ka thënë se për shkak të angazhimeve të Pacollit, ai ka ofruar dorëheqjen, madje e kishte kërkuar qysh nga viti 2022.

“Qysh në kuvendin e fundit kur e kemi pasur në vitin 2022, presidenti Behgjet Pacolli ka kërkuar me u tërheq”, ka thënë Makolli.

“Kjo ka të bëjë me punët e tij, pasi ai nuk qëndron shumë në Kosovë, po ashtu edhe aspekti shëndetësor, pasi nuk ka arritur të marrë pjesë edhe në mbledhjet e fundit”.

Makolli shtoi po ashtu se ai do të jetë si ushtrues-detyre në krye të AKR-së.

Makolli bëri të ditur se dorëheqja e Pacollit është dorëzuar rreth një muaj më parë dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është njoftuar zyrtarisht për ndryshimin në drejtimin e partisë.

“Zoti Pacolli ka dhënë dorëheqje para afro një muaji dhe, në bazë të Statutit të partisë, më ka caktuar ushtrues detyre të presidentit të AKR-së. KQZ është njoftuar për këtë ndryshim,” – deklaroi Makolli.

Behgjet Pacolli ka qenë në krye të AKR-së që nga themelimi i saj në vitin 2006.

gijotina.com/

The post Behgjet Pacolli jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë Aleanca Kosova e Re appeared first on GIJOTINA.