Grabitje me dhunë në mes të Vorës, arrestohen dy “skifterët”

I morën me dhunë një 27-vjeçari, në rrugë, një shumë parash dhe 3 celularë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetasi i kishin vjedhur me dhunë, një shumë parash, organizuan punën për zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Road”, u lokalizuan në një banesë të braktisur, u kapën dhe u vunë në pranga 2 autorët e dyshuar të rastit, shtetasit F. S., 26 vjeç, dhe G. Sh., 30 vjeç, banues në Vorë.

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. P., 24 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Nga hetimet dyshohet se shtetasit F. S. dhe G. Sh., në rrugën e fshatit Marikaj, në mbrëmje, i kanë marrë me dhunë, një shtetasi, 5300 euro dhe 3 celularë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. S., në Vorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 karikatorë arme zjarri automatik model 56, një palë pranga, një mjet prerës (thikë) dhe 3 celularët e vjedhur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

The post Grabitje me dhunë në mes të Vorës, arrestohen dy “skifterët” appeared first on www.lexo.al.