Probleme me motorët mbajnë 38 avionë në tokë, kriza te WizzAir do të zgjasë të paktën deri në 2027

Wizz Air pret që problemet me motorët Pratt & Whitney, që kanë çuar në bllokimin e dhjetëra avionëve të saj, të vazhdojnë deri në fund të vitit 2027.

Lajmi u konfirmua nga drejtori financiar i kompanisë, Ian Malin, gjatë një konference në Pragë, ku i cilësoi vonesat si “jashtëzakonisht zhgënjyese” dhe theksoi se linja ajrore “mbetet në mëshirën e prodhuesit”.

Aktualisht, Wizz Air ka 38 avionë Airbus A320neo dhe A321neo të ndalur për riparime, nga 60 që ishin një vit më parë.

Kjo përbën rreth 22% të flotës “neo” të kompanisë, duke kufizuar ndjeshëm kapacitetin e saj operacional dhe planet e zgjerimit.

Defekti lidhet me përbërjen e metaleve në motorët GTF të Pratt & Whitney, që ka shkaktuar kosto të larta mirëmbajtjeje dhe vonesa të gjata në riparime.

Për pasojë, fitimi operativ i Wizz Air ra me 61.7% gjatë vitit fiskal 2025, duke zbritur në 167.5 milionë euro.

Drejtori ekzekutiv, Jozsef Varadi, paralajmëroi se rikuperimi i plotë do të varet nga aftësia e Pratt & Whitney për të përshpejtuar proceset e riparimit, “diçka që ende nuk e kemi parë të ndodhë”, siç tha ai.

Me qindra avionë të porositur dhe pothuajse një të katërtën e flotës “neo” ende jashtë funksioni, Wizz Air ka përpara një periudhë të gjatë paqëndrueshmërie dhe presioni financiar që mund të zgjasë për vite.

/skyweb.al/

The post Probleme me motorët mbajnë 38 avionë në tokë, kriza te WizzAir do të zgjasë të paktën deri në 2027 appeared first on GIJOTINA.