Nuk është vetëm Tirana, gjashtë bashki në zgjedhje të parakohshme

Tirana, Vlora, Tepelena, Berati, Mati dhe Cerriku janë gjashtë bashkitë në vend ku pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Gara më e fortë pritet të jetë ajo për Bashkinë e Tiranës, si njësia më e madhe vendore në vend.

Kryeministri Edi Rama propozoi sot publikisht Ogerta Manastirliun si kandidaten e Partisë Socialiste, ndërsa opozita nuk ka shpallur ende emrin e saj.

Me vendimin në pritje të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të shkarkuar kryetarin në detyrë, Erion Veliaj, dhe nëse ky i fundit nuk ankimon vendimin në Gjykatën Kushtetuese, presidenti Bajram Begaj do të duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve.

Në varësi të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, Presidenti i Republikës do të shpallë datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Ligji parashikon si afat detyrues zhvillimin e tyre brenda 45 ditëve nga momenti i njoftimit.

Në të gjashtë bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet, Partia Socialiste futet në garë si fituese e mëparshme pasi ato janë bastione të PS-së, të udhëhequra prej vitesh nga socialistët.

gijotina.com/

The post Nuk është vetëm Tirana, gjashtë bashki në zgjedhje të parakohshme appeared first on GIJOTINA.