Sot dhe nesër homazhet në Milano për Giorgio Armanin! Mijëra njerëz në radhë për t’i dhënë lamtumirën e fundit ikonës së modës

Në Milano sot po mbahen homazhet në nder të ikonës së modës, Giorgio Armani, i cili u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare më datë 4 shtator.

Në qytetin e tij të zemrës, ku jetoi dhe punoi për më shumë se gjysmë shekulli, në Milano, që në orët e para të mëngjesit janë krijuar radhë të gjata të njerëzve për t’i dhënë lamtumirën e fundit stilistit. Homazhet po mbahen në Armani/Teatro, në selinë e shtëpisë së modës.

Kryetari i Bashkisë së Milanos, Beppe Sala, u shpreh se është plotësisht dakord me përfshirjen e emrit të Giorgio Armanit në Famedio, vendi i nderit për qytetarët më të shquar të Milanos në varrezat monumentale të qytetit.

Është gjëja e parë që duhet bërë. Besoj se është më se e denjë. Me miratimin e familjes, do ta përfshijmë këtë vit”, tha Sala para gazetarëve.

Homazhet do të zhvillohen gjatë gjithë fundjavës, pra të shtunë dhe të dielë, nga ora 09:00 deri në orën 18:00. Por ka disa rregulla. Për të respektuar atmosferën solemne dhe privatësinë e familjes, është rreptësisht e ndaluar të bëhen foto apo video, si brenda ashtu edhe jashtë ambientit.

Pas homazheve gjatë fundjavës, trupi i pajetë i Giorgio Armanit do të përcillet për në banesën e fundit të hënën, më 8 shtator, në një ceremoni krejtësisht private, sipas dëshirës së tij.

Vetëm një numër shumë i kufizuar personash, rreth njëzet vetë, do të jenë të pranishëm. Vendi i ceremonisë nuk është bërë publik.

Të gjitha dyqanet e grupit Giorgio Armani do të qëndrojnë të mbyllura gjatë ceremonisë, në shenjë respekti.

The post Sot dhe nesër homazhet në Milano për Giorgio Armanin! Mijëra njerëz në radhë për t’i dhënë lamtumirën e fundit ikonës së modës appeared first on www.lexo.al.