”Ka shumë zbukurime dhe gënjeshtra”, Vajza e Michael Jackson kritikon filmin biografik që po xhirohet për babanë e saj

Paris Jackson ka kritikuar një film të ardhshëm biografik për babanë e saj, Michael Jackson, me pretendimin se është “zero për qind e përfshirë” në film.

Komentet vijnë vetëm dy ditë pasi aktori Colman Domingo, i cili luan patriarkun e familjes Joe Jackson në filmin Michael, lavdëroi kontributin e Paris-it.

Domingo tha se Paris ka qenë “vetëm e dashur dhe e ngrohtë” me të. “Jam i emocionuar të jem këtu sonte në AmfAR me Paris-in”, tha ai, gjatë një eventi në festivalin e filmit në Venecia.

Të martën në mbrëmje, Paris reagoi në Instagram për të hedhur poshtë versionin e ngjarjeve të Domingo-s.

“Mos u thuaj njerëzve që unë isha ‘ndihmuese’ në xhirimet e një filmi ku kisha zero për qind përfshirje, kjo është shumë e çuditshme”, shkroi këngëtarja dhe aktorja 27-vjeçare.

“E lexova një nga versionet e para të skenarit dhe dhashë komentet e mia për atë që ishte jo e ndershme/ nuk më tingëllonte mirë, dhe kur ata nuk i morën parasysh, vazhdova me jetën time. Thjesht u tërhoqa dhe e lashë sepse nuk është projekti im. Ata do të bëjnë çfarëdo që do të bëjnë. Një nga arsyet kryesore pse nuk kam thënë asgjë deri tani është sepse e di që shumë prej jush do të jeni të lumtur me të. Një pjesë e madhe e filmit i përket një pjese shumë specifike të fansave të babait tim që ende jetojnë në fantazi, dhe ata do të jenë të lumtur me të“, u shpreh artistja.

Paris vazhdoi të kritikojë modelin e filmave biografikë “të zbukuruar” të Hollywood-it në përgjithësi. “Ka shumë pasaktësi dhe shumë gënjeshtra. Kjo nuk më përshtatet mua. Shkoni, shijojeni. Bëni ç’të doni. Më lini jashtë kësaj”, shtoi ajo.

Filmi biografik, që është prodhuar në bashkëpunim me trashëgimtarët e familjes Jackson, është në zhvillim të paktën që nga viti 2019.

Ai tërhoqi polemika kur revista Puck raportoi se filmi po përballej me rishkrime dhe rixhirime pasi një pjesë e tregimit në aktin e tretë, që kishte të bënte me një nga akuzuesit e Michael Jackson, nuk mund të përdorej për arsye ligjore.

Jaafar Jackson, nipi i Michael Jackson, do të debutojë në film si ylli i pop-it në këtë biografi, ndërsa në kast do të jenë gjithashtu Miles Teller, Nia Long dhe Kat Graham. Michael pritet të dalë më 24 prill 2026.

The post ”Ka shumë zbukurime dhe gënjeshtra”, Vajza e Michael Jackson kritikon filmin biografik që po xhirohet për babanë e saj appeared first on www.lexo.al.