BE dënon sulmet izraelite në Gaza: Vrasja e gazetarëve dhe civilëve nuk justifikohet

Bashkimi Europian ka reaguar pas lajmeve për vrasjen e pesë gazetarëve, katër punonjësve të shëndetësisë dhe disa civilëve gjatë sulmeve të djeshme në Gaza, duke e cilësuar ngjarjen si krejtësisht të papranueshme.

“Civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen nga e drejta ndërkombëtare. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Izraelit që të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të sigurojë që këto sulme të hetohen,” deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian, Anouar El Anouni, në një konferencë për shtyp.

Ai theksoi gjithashtu se BE vë në dukje deklaratat e autoriteteve izraelite se do të kryhet një hetim i plotë për ngjarjen.

Ngjarja e rëndë ka shtuar tensionet dhe kritikat ndaj operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, ku shpesh viktima bëhen civilë, gazetarë dhe punonjës humanitarë.

Vdekjet e reja nga personeli mediatik në Gaza e kanë çuar numrin e gazetarëve palestinezë të vrarë në sulmet izraelite që nga tetori i vitit 2023 në 246. Ndërkohë Izraeli ka vrarë më shumë se 62 mijë e 700 palestinezë në Gaza që prej të njëjtës periudhë.

The post BE dënon sulmet izraelite në Gaza: Vrasja e gazetarëve dhe civilëve nuk justifikohet appeared first on GIJOTINA.