VIDEO/ “Perla” e Dejvi Bregut nuk mjafton, Hajduku përmbys Dinamon

Dinamo është mundur me rezultatin 2-1 nga Hajduk Split në takimin e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, i zhvilluar në stadiumin mitik “Poljud”. Skuadra shqiptare bëri një paraqitje dinjitoze, madje kaloi e para në epërsi falë një goli spektakolar të Dejvi Bregut, por nuk arriti ta ruante avantazhin përballë presionit të vendasve.

Në minutën e 37-të, mesfushori vlonjat lëshoi një predhë nga distanca, duke mposhtur portierin dhe duke tronditur stadiumin e tejmbushur të Splitit. Goli i Bregut u shoqërua me entuziazëm të madh në pankinën e Dinamos, ndërsa publikun vendas e la të shtangur.

Por në pjesën e dytë, Hajduku reagoi fort. Vetëm 4 minuta pas rifillimit të lojës, Durdov shfrytëzoi një aksion të mirë me Krovinovic për të barazuar rezultatin në 1-1. Epërsia psikologjike kaloi në anën e kroatëve, të cilët nuk ndalën së sulmuari.

Presioni i vazhdueshëm i Hajdukut u konkretizua në minutën e 63-të, kur Saniang shënoi golin e përmbysjes dhe vendosi rezultatin përfundimtar 2-1. Tani gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në Shqipëri. /LAPSI.al

The post VIDEO/ “Perla” e Dejvi Bregut nuk mjafton, Hajduku përmbys Dinamon appeared first on Lapsi.al.