‘Kosova ka lezet’, Dua Lipa ndez ‘Sunny Hill Festival’! Dhuron spektakël me të atin, këndojnë në skenë ‘Era’ (VIDEO)

Prishtina u shndërrua në kryeqendrën e muzikës botërore mbrëmjen e së premtes. Ylli me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, dhuroi një performancë të jashtëzakonshme në hapjen e edicionit të pestë të festivalit “Sunny Hill”. Dua interpretoi këngë nga albumi i saj më i fundit Radical Optimism, si dhe disa nga hitet më të mëdha të dy albumeve të saj të para.

Performanca e saj u shoqërua me koreografi dhe një skenografi moderne që krijuan një përvojë vizuale dhe muzikore të paharrueshme për publikun. Gjatë interpretimit, Dua u shfaq me 3 veshje të ndryshme skenike.

Por momenti më i veçantë i mbrëmjes ishte performanca e Duas me babanë e saj, Dukagjin Lipën, me këngën shqip “Era”, të grupit ‘Gjurmët’.

Gjurmët, të formuar në vitin 1981 në Prishtinë, janë ndër grupet më emblemë të rock-ut shqiptar, me vokalistin Migjen Kelmendi. Performanca kishte edhe një simbolikë tjetër, kthimi në muzikë i Dukagjin Lipës, dikur solist i grupit “ODA”, aktiv në vitet ‘90.

Por, nuk mjaftoi vetëm kjo performancë. Dua Lipa iu drejtua turmës në gjuhën shqipe, duke iu thënë se Kosova ka lezet gjithmonë, dhe duke i falënderuar të gjithë të pranishmit.

Përpos Duas, skenën e elektrizuan edhe Fat Boy Slim, Edis, Tayna, Kida, Siena Spiro, e shumë artistë të tjerë. Festivali, i cili do të vijë edhe sonte dhe nesër është organizuar nga babai i saj, Dukagjin Lipa dhe është një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon. “Sunny Hill Festival” në dy netët e ardhshme do të vijojë me emra të tjerë të njohur të muzikës ndërkombëtare dhe shqiptare, duke e vendosur Prishtinën në hartën e festivaleve më të rëndësishme të Evropës Juglindore.

The post ‘Kosova ka lezet’, Dua Lipa ndez ‘Sunny Hill Festival’! Dhuron spektakël me të atin, këndojnë në skenë ‘Era’ (VIDEO) appeared first on www.lexo.al.