Ndihmat nga ajri/ OBSH: Kequshqyerja në Gaza në nivele alarmante

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se kequshqyerja në Gaza ka arritur nivele “alarmante” dhe po ndjek një “trajektore të rrezikshme”, teksa rifilluan hedhjet me aeroplanë të ndihmave humanitare drejt enklavës.

Rifillojnë hedhjet e ndihmave nga ajri

Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hedhur ndihma në Gaza të dielën, pas asaj që Izraeli e quajti një “pushim taktik” në luftime. Izraeli njoftoi se do ndalte operacionet ushtarake për 10 orë në ditë në pjesë të ndryshme të Gazës dhe do hapte korridore të sigurta për karvanët e OKB-së, për të “kundërshtuar pretendimin e rremë për urinë e qëllimshme”. Hamasi i akuzoi ato masa si “pastrim imazhi para botës”.

Por situata mbetet e tensionuar: personeli mjekësor raportoi nëntë të vrarë dhe 54 të plagosur nga zjarri izraelit pranë një rruge të karvanit të ndihmës në Gazën Qendrore. Një sulm ajror goditi një bllok banesash një orë pasi nisi armëpushimi të shtunën.

Programi Botëror i Ushqimit raporton se një e treta e dy milionë banorëve në Gaza nuk hanë për disa ditë me radhë, dhe një e katërta përjeton “kushte urie të ngjashme me skamjen”.

Mbi 100 persona janë raportuar të vdekur nga kequshqyerja nga ministria e shëndetësisë e kontrolluar nga Hamas. Qindra të tjerë janë vrarë nga të shtënat ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore nga pak pikë shpërndarjeje të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

The post Ndihmat nga ajri/ OBSH: Kequshqyerja në Gaza në nivele alarmante appeared first on Lapsi.al.