Skemë mashtruese në emër të Raiffeisen Bank/ Qytetarit i vidhen 1 milion lekë pas një klikimi fatal!

Një qytetar ka rënë pre e një skeme të sofistikuar mashtrimi kibernetik, duke humbur një shumë prej 100 mijë lekësh të reja (1 milion të vjetra) nga llogaria e tij bankare në Raiffeisen Bank.

Gjithçka nisi me një mesazh mashtrues, i dërguar në emër të bankës, ku i kërkohej që të “përditësonte kartën bankare” brenda ditës, përndryshe do t’i pezulloheshin shërbimet. Pa e ditur se ishte një skemë e rrezikshme, qytetari klikoi në linkun e dërguar, i cili çonte në një faqe të rreme të krijuar për të vjedhur të dhënat personale dhe bankare.

Pasi klikoi, hajdutët morën akses në llogarinë e tij bankare dhe përvetësuan dy shuma të ndryshme, secila nga 50 mijë lekë të reja. Vetëm pas marrjes së njoftimeve zyrtare nga Raiffeisen Bank për transaksionet e dyshimta, qytetari kuptoi që ishte mashtruar.

Ky rast ngre sërish alarmin për sigurinë digjitale të klientëve bankarë në Shqipëri, ndërsa nuk është hera e parë që qytetarë të ndryshëm bien pre e skemave të ngjashme përmes SMS-ve apo email-eve të rreme.

Raiffeisen Bank nuk ka bërë ende një reagim publik për rastin, ndërsa mbetet e paqartë nëse paratë do t’i kthehen qytetarit.

Kujdes! Mos klikoni në linke të dyshimta që pretendojnë të jenë nga banka. Raiffeisen dhe çdo institucion serioz nuk kërkon të dhëna personale përmes SMS-e apo rrjete sociale.

The post Skemë mashtruese në emër të Raiffeisen Bank/ Qytetarit i vidhen 1 milion lekë pas një klikimi fatal! appeared first on GIJOTINA.