Ankesat ndaj AKU, Ministrja Denaj urdhëron pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim: Të ngrihet komision i posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë

Sikurse e kishte paralajmëruar edhe kreu i qeverisë Edi Rama, aktiviteti i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit tashmë është në ‘lupë’.

Mëngjesin e sotëm në një deklaratë për mediat ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, bëri me dije masat ndaj AKU, me qëllimin forcimin e kontrollit dhe transparencës.

Denaj ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pa miratuara, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Ajo sqaroi se komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së, si dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj, me synim krijimin e një profili të ri inspektues në përputhje me ligjin “Për inspektimet” dhe në mbrojtje të interesit të konsumatorit.

“Ky urdhër ka një bazë edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë. Falenderoj mbështetjen e UBT, i cili do të ketë tre anëtarë në këtë komision. Komisioni do të vlerësojë në formë të shkruar inspektorët e AKU. Aplikantët e rinj do të jenë fokusi i këtij institucioni që do të sjellë një qasje dhe etikë të re”, u shpreh Denaj.

The post Ankesat ndaj AKU, Ministrja Denaj urdhëron pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim: Të ngrihet komision i posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë appeared first on www.lexo.al.