Një buzëqeshje shumë e madhe pavarësisht dhimbjes, një gjest që vlen shumë më tepër se të gjitha pritjet e bëra gjatë karrierës së tij: Julio Sergio është bërë shkëmbi i djalit të tij Enzo, i cili prej disa vitesh po përballon sëmundjen duke u mbështetur te forca e të atit. Djalit 15-vjeçar në vitin 2020 iu diagnostikua një tumor në tru gjatë një kontrolli dhe që prej asaj kohe ka filluar kalvari që nuk e ka përballuar kurrë vetëm.
Djali ka nevojë për kura të reja dhe edhe këtë herë ish-portieri i Romës i ka dhënë forcë. Prekëse është videoja ku ai i rruan flokët në zero bashkë me djalin e tij, gjithmonë me buzëqeshje dhe optimizëm të madh. Ish-lojtari e publikoi dje videon në profilin e tij në rrjetet sociale duke vendosur si sfond këngën Viva a Vida të Felipe Duram. Një gjest simbolik por që vlen jashtëzakonisht shumë për vogëlushin Enzo që po përballet me një pengesë tjetër të madhe, gjithmonë dorë për dore me babain e tij.
Video prekëse e Julio Sergio dhe djalit të tij
Nuk duhen fjalë përballë këtyre pamjeve që shpjegojnë shumë mirë marrëdhënien e veçantë që ekziston mes tyre. Që kur ishte 10 vjeç Enzo është përballur me një tumor në tru: dy vite më parë iu nënshtrua një operacioni shumë delikat dhe së shpejti e presin kura të reja për ta ndihmuar të mposhtë sëmundjen, i mbështetur nga familja e tij dhe nga babai që për të është bërë një shembull për t’u ndjekur. Julio Sergio zgjodhi të rruajë flokët në zero bashkë me djalin e tij, duke qeshur dhe bërë shaka te berberi që u përpoq t’i rruante të dy njëkohësisht.
Ish-portieri i Romës ka vendosur të ndajë me tifozët në rrjetet sociale çdo moment, duke marrë edhe gjeste të mëdha solidariteti. Pak ditë më parë Enzo ishte mysafir i Santos dhe takoi idhullin e tij Neymar, ndërsa në të kaluarën është bërë imazh i një fushate ndërgjegjësimi kundër tumoreve të zhvilluar në Brazil. Babai i tij ka thirrur emra të mëdhenj të futbollit për këtë mision dhe për të ndihmuar shumë fëmijë që si ai luftojnë kundër sëmundjes, gjithmonë me buzëqeshje dhe dashurinë e pakufishme që i shoqëron.
The post Julio Sergio, gjesti prekës: rruan flokët bashkë me djalin e tij të sëmurë nga tumori appeared first on Lapsi.al.