25 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 4 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në të gjithë vendin. Nga këto, 4 vatra vijojnë të jenë aktive në orët e para të ditës së sotme.

Vatrat e zjarrit aktive janë evidentuar në bashkitë e Vlorës, Poliçanit, Bulqizës dhe Dibrës:

Vlorë: Në vendin e quajtur “Sotiran”, mes fshatrave Tragjas dhe Dukat, zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit mbahet në monitorim. Gjatë ditës së sotme në zonë po operojnë 8 forca zjarrfikëse dhe 7 punonjës nga Shërbimi Pyjor. Një helikopter Cougar i Forcës Ajrore u angazhua dje në ndihmë të forcave tokësore.
Poliçan: Vatra në fshatin Zgërbonjë, në njësinë administrative Vërtop, vijon të jetë në monitorim dhe nuk paraqet rrezik për përhapje të mëtejshme.
Bulqizë: Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, në njësinë administrative Zerqan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinjanë. Terreni i vështirë kërkon mjete me kalueshmëri të lartë.
Dibër: Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, në njësinë administrative Lurë, zjarri nuk arriti të izolohej plotësisht pavarësisht punës së forcave operacionale deri në orët e vona. Gjatë ditës së sotme janë angazhuar 7 efektivë zjarrfikës, 6 forca të AdZM-së, 5 forca bashkiake dhe 25 vullnetarë. Në mbështetje të tyre, sot do të operojë edhe helikopteri i Forcës Ajrore.

Ministria e Mbrojtjes njofton gjithashtu se në dy raste zjarret janë evidentuar në banesa dhe një në një godinë biznesi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte, janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi. Në operacionet e shuarjes u angazhuan 30 automjete zjarrfikëse dhe 351 forca. Forcat e Armatosura kontribuan me 59 efektivë, 1 helikopter, 5 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse, 2 mjete vetëshkarkuese dhe 1 traktor me zinxhirë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në pothuajse të gjitha qarqet. Në qarkun e Shkodrës priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, në formë shtrëngate.

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të monitorojë situatën dhe është në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë. Ministria u bën thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet vendore në rast zjarri.

The post 25 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 4 ende aktive appeared first on GIJOTINA.