Aktori Julian McMahon ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare pas një beteje me kancerin.
Lajmin e trishtë e ka konfirmuar bashkëshortja e tij, Kelly Paniagua, përmes një deklarate të shpërndarë nga Deadline.
“Julian e donte jetën. E donte familjen, miqtë, punën dhe adhuruesit e tij. Dëshira e tij më e thellë ishte të sillte gëzim në sa më shumë jetë që të ishte e mundur,” tha Paniagua.
Karriera e McMahon mori hov me serialin fantastiko-shkencor “Charmed”, por popullaritetin më të madh e fitoi me dramën mjekësore “Nip/Tuck”, ku interpretoi rolin e kirurgut plastik Dr. Christian Troy. Seriali zgjati gjashtë sezone (2003-2010) dhe i solli atij një nominim për Golden Globe.
Shoku dhe kolegu i tij, Dylan Walsh, u shpreh i tronditur nga lajmi:
“Ne kaluam këtë udhëtim së bashku dhe e doja shumë. Jules! E di që doje të thoja diçka që të të bënte të qeshje – gjithë ato shaka mes nesh. Vitet që kaluam së bashku, dhe sa shumë kemi qeshur. Zemra ime është me ty. Pushofsh në paqe.”
McMahon interpretoi gjithashtu rolin e Doctor Doom në dy filmat Fantastic Four (2005 dhe 2007) dhe më vonë u shfaq në tre sezone të serialit kriminal FBI: Most Wanted. Producenti Dick Wolf e cilësoi vdekjen e tij si “lajm tronditës”.
Julian së fundmi kishte marrë një rol në Netflix, ku luante një kryeministër australian në serialin “The Residence”.
The post Ndahet nga jeta aktori Julian McMahon appeared first on Lapsi.al.