Zyrtarisht i pandehur! Jonaid Myzyri paraqitet në SPAK, kreut të KPP-së i komunikohet sot akuza

I shoqëruar edhe nga avokati mbrojtës, Ermir Beta, Kryetari i Komisionit të Prokurorimit Publik, Jonaid Myzyri u rikthye në SPAK mëngjesin e kësaj të hënë për t’iu komunikuar akuza dhe për t’u marrë në pyetje si i pandehur.

Myziri po hetohet për veprën penale “Shkelje e barazisë në tenderë” dhe “Shpërdorim detyre” për tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me  gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro. Dosja po hetohet nga prokurori Elvin Gogaj, i cili ka vendosur të ndryshojë statusin e tij nga person nën hetim  tashmë i pandehur. Jonaid Myzyri është paraqitur dy herë në Prokurorinë e Posaçme, ku është thirrur për të dëshmuar për hetimet, një herë si person që ka dijeni, dhe herën e dytë si person nën hetim.

Në listën e personave të pandehur që SPAK pritet t’u komunikojë akuzën gjatë javës së ardhshme,  janë dhe 3 anëtare të gjykimit të ankesave nga subjektet private në Komisionin e Prokurimeve Publike. Mësohet se të gjithë personat akuzohen për “Shkelje të barazisë në tenderë”, duke pasur në fokus pikërisht abuzimet me tenderin për mirëmbajtjen e rrugës “Rrëshen-Shpal dhe Shpal-Ura e Repsit”.

SPAK është duke hetuar procedurat e tenderëve përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në raste të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë. Jonaid Myzyri u emërua në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) në vitin 2020, për një mandat 5-vjeçar, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Parlament. Me marrjen zyrtarisht të pandehur nga Prokuroria e Posaçme, Jonaid Myzyri i digjet mundësia për një mandat të dytë në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike.

The post Zyrtarisht i pandehur! Jonaid Myzyri paraqitet në SPAK, kreut të KPP-së i komunikohet sot akuza appeared first on GIJOTINA.