Moreno Torricelli prej kohësh ka veshur sërish rrobat e punës. Ish-mbrojtësi i Juventusit sot, në moshën 55-vjeçare, ende i përdor mjetet e zanatit pasi i dha fund futbollit edhe për shkak të vdekjes së gruas së tij Barbara, e cila u shua në moshën 40-vjeçare nga leuçemia. Ish-qendërmbrojtësi punonte si marangoz, para se të firmoste “mbi kofanon e një makine” kontratën që e çoi të fitonte shumë për kohën (“kalova nga një rrogë prej 2 milionësh në një prej 80”), tani është kthyer tek lodhja që e mësoi që adoleshent, kur nuk kishte dëshirë të studionte por për të fituar para nuk hezitoi të lodhej në fabrikat e mobilieve. Edhe tani “nëse ka për të montuar dritare, shkoj”.
Geppetto (noftka që ia vuri Roberto Baggio) kishte nisur edhe karrierën si trajner, pastaj në vitin 2010 erdhi vdekja e bashkëshortes, “ishte parukiere dhe i priste flokët Del Pieros kur vinte tek ne për të ngrënë”. E vrau leuçemia dhe ky ishte momenti që i ndryshoi jetën. Kështu është kur provon një dhimbje të madhe, përfshirë gjithçka që bën pjesë në udhëtimin rraskapitës pranë personit që do. “Me të kam jetuar 20 vite të mrekullueshme – ka rrëfyer për Corriere della Sera –, kemi pasur tre fëmijë të mrekullueshëm, dy prej të cilëve më kanë bërë gjysh. A mund të zgjaste më shumë? Sigurisht. Por udhëtimi ishte i bukur”.
Moreno Torricelli, vdekja e gruas dhe gënjeshtra për fëmijët
Historia e tyre filloi në mënyrën më të thjeshtë dhe të sinqertë, si dikur. Torricelli e njohu ish-bashkëshorten në moshën 15-vjeçare dhe aty lindi shkëndija. Atë ditë dëgjoi këshillën e xhaxhait. “Barbara punonte me kushërirën time, një ditë vendosin të hanë drekë bashkë. Unë isha në barin e prindërve të mi duke bërë kafe dhe më tha: shko në shtëpi më dëgjo. Hipi në biçikletë, e shoh. U dashurova”.
Aurora, Alessio dhe Arianna janë fëmijët që lindën nga marrëdhënia e tyre. Sëmundja e rëndë e nënës lidhet me një kujtim tjetër rrëqethës që Torricelli e nxjerr pak nga pak. Dhemb shumë vetëm ta lexosh fjalë për fjalë, imagjino çfarë ka përjetuar dhe përjeton ende sot. “Mjekët më thanë: ka vetëm 2% mundësi shërimi për çdo vit pas transplantit të palcës kockore. Nuk i thashë asaj, as familjes së saj dhe as tre fëmijëve tanë. Nuk doja që të humbnin shpresën”.
Si mund të fshehësh situata të tilla? Pyetje e vështirë… Torricelli thotë gjithçka pa filtra. “Pas 10 muajsh u thashë të vërtetën të gjithëve vetëm ditët e fundit dhe ishte një çlirim. Fëmijët e mi kishin 10, 11 dhe 16 vjeç. Nuk e mësuan kurrë të vërtetën, nuk pata forcë t’ua thoja as pas. Do ta lexojnë për herë të parë këtu”.
Çfarë bën sot Moreno Torricelli, jeta me partneren e re
Marrëdhënia e tij me futbollin e luajtur dhe si trajner përfundoi aty, në atë moment, sepse pastaj gjithçka ndryshoi. Futbolli është si një nga fotot e një karuseli muzikor që e vendos në xhepin më afër zemrës: nga njëra anë kujtimet në fushën e gjelbër, nga ana tjetër fotografia e një jete me gruan e tij. Sot ka punën e një jete që e ka rifilluar dalëngadalë pas pandemisë së Covid falë një miku artizan. “Carlo më tha: jam vetëm dhe kam shumë punë. Pse nuk vjen të më ndihmosh? Dhe nëse ka për të montuar dritare, shkoj”. Dhe pastaj është Lucia, partnerja e re që “më ka rindezur dritën brenda. Më largoi nga tragjedia, më bëri të ndihem mirë sërish”. Jeta të merr dhe të jep. Në një mënyrë apo në një tjetër, një ditë apo një tjetër.
The post Torricelli, nga Juventus në punues druri: “Gruaja ime kishte 2% mundësi mbijetese” appeared first on Lapsi.al.