Tabaku: Turizmi rritet, por bizneset e vogla po mbyllen, Shqipëria në krizë ekonomike

Deputetja Jorida Tabaku përmes një postimi në rrjetet sociale ka vënë në dukje një kontrast shqetësues në ekonominë shqiptare.

Ndërsa turizmi po rritet dhe gjithnjë e më shumë të huaj vijnë për të parë mrekullitë e Shqipërisë, shqiptarët po mbyllin bizneset e tyre të vogla.

“Gjithnjë e më pak shqiptarë hapin biznese të vogla. Gjithnjë e më shumë dyer mbyllen,” shkruan Tabaku, duke pyetur “Pse?” dhe duke dhënë përgjigjen që sipas saj e dinë të gjithë: “taksat e larta, mungesa e mbështetjes, dhe një qeveri socialiste që nuk e do sipërmarrjen e ndershme.”-shkruan Tabaku

Deputetja thekson se “8 nga 12 qarqe të vendit kanë rënie të ndjeshme të bizneseve të vogla.” Ato që qeveria i quan “rritje ekonomike” janë sipas saj vetëm “fasada, reklama, mashtrime.”

“E vërteta është kjo, Shqipëria është në krizë,” shprehet Tabaku, duke vënë në dukje pasojat e këtij fenomeni: “Sa herë mbyllet një biznes i vogël, një familje futet në vështirësi. Sa herë mbyllet një punishte, humb një lagje, zbehet një komunitet.”-shkruan Tabaku.

Sipas deputetes, “Shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare është sipërmarrja e vogël,” por për “qeverinë socialiste, kjo shtyllë është armiku numër një.”

Arsyeja sipas saj është se shtresa e mesme nuk është klienteliste. Nuk shitet. Nuk hesht. Ajo lufton kundër monopoleve, kundër shtetit të kapur, kundër një ekonomie që punon vetëm për pakicën.

 

The post Tabaku: Turizmi rritet, por bizneset e vogla po mbyllen, Shqipëria në krizë ekonomike appeared first on www.lexo.al.