‘KELONY’ dhe lidhjet e errëta me familjen Meta, konflikte interesi apo thjesht biznes i pastër? (FOTO)

Në qendër të një rrjeti biznesi dhe politik me shumë dyshime po vihet kompania europiane “KELONY”, e cila prej disa vitesh bashkëpunon me institucionet shqiptare në projekte strategjike për vlerësimin e rrezikut. Por ajo që tërheq vëmendjen është fakti se në këtë agjenci punon vajza e ish-presidentit Ilir Meta dhe kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, Bora Metaj, ndërsa në ndërmjetësim me institucionet shqiptare është i përfshirë edhe një ish-këshilltar i Metës.

Bora Metaj është pjesë e stafit të “KELONY” që prej vitit 2020 dhe sipas burimeve nga Ministria e Financave, ajo merret me projekte financimi dhe menaxhimi të rreziqeve natyrore, dixhitale dhe ekonomike në Shqipëri. Ndërkaq, ish-këshilltari i Ilir Metës, Ilir Kulla, shfaqet si ndërmjetësues mes kompanisë dhe institucioneve shtetërore, duke ngritur dyshime për një lidhje të ngushtë familjare-politike-biznesi.

Në këtë rrjet, familja Meta-Kryemadhi është e angazhuar edhe në një tjetër fushë: dy fëmijët e tyre kanë hapur një startup për menaxhimin dixhital të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Platforma e tyre, që ka për qëllim të institucionalizojë historikun ligjor të pronave dhe të sjellë transparencë në një treg të mbushur me manipulime, përfshin 15 gjuhë dhe synon zgjerim ndërkombëtar. Megjithatë, sipas Monika Kryemadhit, fëmijët e saj përballen me diskriminim dhe vështirësi, duke treguar se lidhja e tyre me politikën nuk i ka bërë rrugën më të lehtë.

Në mungesë të transparencës së plotë dhe verifikimeve të pavarura, lindin pyetje serioze mbi mënyrën se si “KELONY” ka fituar kontratat shtetërore dhe nëse favorizimet politike kanë patur rol në këtë proces. Mungesa e transparencës financiare dhe procedurave të kontraktimit lë vend për dyshime që mund të dëmtojnë besimin në institucionet shqiptare dhe në proceset e zhvillimit ekonomik.

Lind paralajmërimi për rreziqet e konfliktit të interesit kur familjet e politikanëve përfshihen në biznese me kontrata publike, duke krijuar mundësi për favore të fshehta dhe përfitime personale në kurriz të interesit publik.

A duhet të ketë auditim për këtë çështje?/Lexo.al 

Punoi: Hermes Kafexhiu 

The post ‘KELONY’ dhe lidhjet e errëta me familjen Meta, konflikte interesi apo thjesht biznes i pastër? (FOTO) appeared first on www.lexo.al.