SHBA rikthen intervistat për vizat studentore dhe forcon kontrollin mbi rrjetet sociale

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka rifilluar intervistat për aplikantët e rinj të vizave studentore, duke vendosur një seri rregullash më të rrepta që prekin në mënyrë të veçantë praninë e tyre në rrjetet sociale. Sipas një komunikate zyrtare të siguruar nga The Washington Post dhe dërguar ambasadave amerikane këtë të mërkurë, të gjithë aplikantëve do t’u kërkohet që profilet e tyre në platformat sociale të jenë të hapura për publikun, për të lejuar autoritetet të verifikojnë qëndrimet e tyre ndaj SHBA-së dhe çdo përmbajtje që mund të konsiderohet armiqësore.

Ky vendim vjen pas një pezullimi të përkohshëm të intervistave për viza studentore muajin e kaluar, si pjesë e një fushate më të gjerë nga zyrtarët amerikanë, që kanë shprehur shqetësime për përhapjen e antisemitizmit në disa universitete dhe për rreziqet e mundshme për sigurinë kombëtare.

Masat e reja të verifikimit do të zbatohen për të gjithë aplikantët e vizave F, M dhe J – përkatësisht për studime akademike, arsim profesional dhe shkëmbime kulturore – pa marrë parasysh institucionin ku synojnë të studiojnë. Sipas autoriteteve, kjo qasje e re synon të garantojë që vetëm personat që respektojnë vlerat dhe parimet amerikane të lejohen të hyjnë në vend për arsye studimore.

The post SHBA rikthen intervistat për vizat studentore dhe forcon kontrollin mbi rrjetet sociale appeared first on www.lexo.al.