Tentoi të trafikonte armë zjarri drejt Gjermanisë, arrestohet një person në Rinas

Një shqiptar me nënshtetësi kanadeze ka rënë në prangat e policisë në Rinas pasi tentoi të trafikonte një pistoletë drejt Gjermanisë. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara për shkak të fluksit në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit”, në kuadër të të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në Gjermani.

Gjatë këtij operacioni u kap në flagrancë në dalje të Shqipërisë dhe u vu në pranga shtetasi shqiptar me nënshtetësi kanadeze A. Q., banues në Kanada.

Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

The post Tentoi të trafikonte armë zjarri drejt Gjermanisë, arrestohet një person në Rinas appeared first on Lapsi.al.