Një furtunë e papritur ka goditur Gardën e Republikës pas largimit të bujshëm dhe të papritur nga detyra të komandantit Ermal Onuzi, vetëm nëntë muaj pas marrjes së postit më të lartë në këtë strukturë elitare të sigurisë. Edhe pse në fillim dorëheqja u la në hije me formulime zyrtare, burime të sigurta brenda Gardës kanë zbuluar se prapaskenat e këtij largimi janë të ngarkuara me presion politik, vjedhje të materialeve ushtarake dhe përplasje të ashpra në hierarkinë e brendshme.
Në qendër të këtij skandali që ka trazuar themelet e një prej strukturave më të rëndësishme të sigurisë së shtetit, qëndron një person me inicialet S. Z., i cili mban postin e komandantit të një reparti të ndjeshëm brenda Gardës së Republikës. Sipas të njëjtave burime, S. Z. është kapur në flagrancë duke vjedhur municione – fishekë të tipit special, të destinuar për armët moderne që përdor Garda në trajnimet dhe stërvitjet e grupit të shoqërimit të personaliteteve më të larta shtetërore.
Sipas informacioneve të siguruara, fishekët në fjalë janë pjesë e arsenalit të fundit teknologjik të Gardës, dhe në tregun e zi vlera e një fisheku shkon nga 2 deri në 3 euro, çka ngre dyshime të forta mbi përmasat reale të vjedhjes dhe përfitimet financiare të përfshira.
Personi i përfshirë, S. Z., rezulton të jetë një emër i njohur për institucionet e drejtësisë dhe më herët ka qenë objekt hetimi për dhunë ndaj një qytetari në prani të fëmijës së tij të mitur – rast që është arkivuar në heshtje për shkak të mbështetjes politike. S. Z. është përfolur si i afërt me ish-ministrin e Brendshëm Taulant Balla, lidhje që mesa duket i ka garantuar imunitet jozyrtar nga ndëshkimi ligjor në disa raste.
Burimet raportojnë se pasi skandali me fishekët u bë i ditur, komandanti Ermal Onuzi ka kërkuar menjëherë lirimin nga detyra të S. Z., duke refuzuar çdo përpjekje për kompromis. Por sipas të njëjtave burime, ndërhyrjet për të mbrojtur S. Z. kanë ardhur nga nivelet më të larta – përfshirë vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, dhe madje edhe shoqëruesin personal të Ramës, Feti Zeneli.
Presioni mbi Onuzin ka qenë i fortë. Burime të brendshme pohojnë se ai është thirrur dhe i është kërkuar të tërhiqej nga qëndrimi i tij për përjashtimin e S. Z., me argumente që shkonin përtej ligjshmërisë dhe funksionit. Por Onuzi nuk ka pranuar të mbulojë një akt flagrant vjedhjeje brenda një strukture të armatosur dhe elitare si Garda. Refuzimi i tij i prerë për të bashkëpunuar me kërkesat politike ka sjellë për pasojë largimin e tij të detyruar nga detyra, nën trysni të hapur dhe mungesë totale mbështetjeje institucionale.
Kështu, më 3 qershor 2025, vetëm 9 muaj pas emërimit të tij zyrtar më 10 shtator 2024, Ermal Onuzi ka dorëzuar dorëheqjen. Zyrtarisht, nuk janë dhënë ende motivacionet e largimit, por rrëfimi që vjen nga brenda strukturës flet për një dorëheqje të imponuar nga mungesa e integritetit të sistemit dhe fushata e mbrojtjes së individëve të lidhur politikisht, të përfshirë në vepra penale.
Me largimin e Onuzit, Garda e Republikës përjeton një nga momentet më të errëta të saj, ku skandali i fishekëve po përvijon një realitet tronditës të kapjes së institucioneve të sigurisë nga interesat klienteliste. Ndërkohë që opinioni publik mbetet në pritje të një reagimi zyrtar nga autoritetet më të larta të shtetit, pyetja që ngrihet me forcë është: kush i mbron hajdutët në strukturat e armatosura të Republikës?
The post Hajduti i fishekëve detyroi të dorëhiqej komandatin e Gardës, ja si u përfshi badigardi i Ramës appeared first on GIJOTINA.