Të martën nisin zyrtarisht ‘ethet’ për maturantët, rreth 27 mijë nxënës do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës së Huaj

Nesër nisin zyrtarisht “ethet” për maturantët, pasi japin testin e parë me detyrim, atë të Gjuhës së Huaj, duke startuar sezonin e provimeve që përfundon më 24 qershor.

Në total janë 27 mijë maturantë që u nënshtrohen këtyre provimeve, të cilët jo vetëm mbyllin siparin e një cikli 3-vjeçar, gjimnazin, por edhe iu shërben si trampolinë drejt universitetit.

Rezultatet e fundit në këto provime, sikundër gjithë vitet e shkollimit do të jenë përcaktuese për të fituar një kuotë studimi në universitetet shtetërore dhe private në vend.

TESTIMI

Provimi i standardizuar nis në orën 10:00 njëkohësisht nga 145 qendrat e testimit. Maturantët kanë 2 orë e gjysmë kohë për t’u dhënë zgjidhje pyetjeve me alternativa dhe zhvillim të provimit të gjuhës angleze. Ashtu si dhe vitet e kaluara, teza e provimit hartohet sipas tri niveleve të vështirësisë. Ndërkohë që maturantët nisin procesin më të rëndësishëm për mbylljen e gjimnazit dhe orientimin drejt universiteteve, Rrjeti Akademik Shqiptar po përgatitet për hapjen e portalit “U-Albania”.

“Faza e parapërgatitjeve është hapja e portalit ‘U-Albania’. Çdo vit përsëritet nga e para, pasi ne kemi një databazë që ngarkohet çdo vit nga matura e vitit në përfundim, si dhe maturantët e viteve të kaluara që duan të aplikojnë për në universitet”.

Katër provimet e detyruara të Maturës Shtetërore zhvillohen me një javë distancë nga njëri-tjetri. Pas Gjuhës së Huaj, më 10 qershor do të zhvillohet provimi kombëtar i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa më 17 qershor testi për lëndën e Matematikës. E pasi të rinjtë të kenë marrë disa prej notave të provimeve tëhvilluara, më 24 qershor japin testin e fundit, atë të Lëndës me Zgjedhje, provim që tregon edhe orientimin shoqëror apo shkencor të maturantëve që do të aplikojnë në universitete.

The post Të martën nisin zyrtarisht ‘ethet’ për maturantët, rreth 27 mijë nxënës do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës së Huaj appeared first on GIJOTINA.