Magjistratja Elsa Ulliri do jetë kryesuesja e trupës gjykuese për dosjen “Partizani”, e cila tashmë ka kaluar për gjykim me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe 3 bashkëpunëtorët e tyre.
Shorti u hodh sot në GJKKO, ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj janë dy anëtarët e trupës gjykuese.
Kjo treshe gjyqtarësh Elsa Ulliri (kryesuese) Bib Ndreca dhe Rudina Palloj do të duhet të përcaktojë brenda 10 ditësh datën e seancës së parë të gjyqit në themel.
Ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
Tre të pandehurit e tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan janë në akuzë për pastrim parash.
The post Dosja “Partizani”, caktohet trupa gjykuese për Sali Berishën dhe Malltezin (Emrat) appeared first on GIJOTINA.