Autori i një mesazhi kërcënues ndaj vajzës së mitur të kryeministres italiane Xhorxhia Meloni është identifikuar si Stefano Addeo, 65 vjeç, profesor i gjuhës gjermane nga provinca e Napolit, në Rajonin e Campanias.
Addeo shkroi në rrjete sociale një koment tronditës, duke i uruar vajzës së vogël të Melonit “të njëjtin fat si Martina Carbonaro”, një vajzë minorene nga Afragola që u vra brutalisht në një rast feminicidi. Komenti u denoncua menjëherë nga partia e Melonit, Fratelli d’Italia, e cila e cilësoi deklaratën si “të frikshme dhe të papranueshme”.
Në një intervistë për median lokale në Romë, Addeo kërkoi falje publike duke deklaruar: “Ishte një gjest prej budallai i bërë në mënyrë impulsive.” Megjithatë, ai theksoi se nuk i dëshiron askujt vdekjen, por nuk është i gatshëm të distancohet nga bindjet e tij politike.
Reagimi i Melonit ishte i ashpër. Kryeministrja deklaroi se:
“Nuk bëhet fjalë për përplasje politike, as për zemërim, është diçka më e errët akoma, që tregon kufijtë e një klime të sëmurë, një urrejtjeje ideologjike, në të cilën gjithçka duhet lejuar, madje edhe dëshira për vdekjen e një fëmije për të sulmuar një prind.”
Meloni bëri thirrje për bashkim të forcave politike kundër kësaj klime të urrejtjes.
The post Profesori kërkoi falje pas kërcënimit ndaj vajzës së Melonit, kryeministrja: Gjest impulsiv prej budallai appeared first on www.lexo.al.