PD në sulm për t’i marrë mandatin e dytë në Tiranë, Shehaj: Kjo është hipokrizi, janë dy votëbesime që askush nuk do t’i rrëmbejë

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke denoncuar atë që e cilëson si një tentativë për “grabitje” të mandateve të fituara nga partia e tij. Në një mesazh të drejtpërdrejtë dhe sfidues, Shehaj deklaron se dy mandatet e Partisë Mundësia janë rezultat i votëbesimit të qytetarëve dhe nuk do të lejojë që ato të preken apo t’i rrëmbehen nga “partitë e vjetra”, të cilat sipas tij po përpiqen të shmangin ndryshimin. Ai thekson se çdo përpjekje për të manipuluar rezultatin përbën hipokrizi dhe e cilëson të papranueshme ndërhyrjen në vullnetin e votuesve.

Postimi i Shehajt:

Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush.
Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë.
Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!
E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet.

The post PD në sulm për t’i marrë mandatin e dytë në Tiranë, Shehaj: Kjo është hipokrizi, janë dy votëbesime që askush nuk do t’i rrëmbejë appeared first on www.lexo.al.