Shqipëria voton sot, 3.7 milionë votues do të zgjedhin qeverinë dhe parlamenin e ri

Shqiptarët do të dalin dhe të votojnë ditën e sotme për të zgjedhur qeverinë e re 2025-2029.

Brenda dhe jashtë Shqipërisë në zgjedhjet e 11 majit 2025 të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713.761 shtetas shqiptarë, nga të cilët 114.642 votojnë për herë të parë.

Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë. Në garë janë 2.046 kandidatë, për 140 vende në parlament.

Votimi i diasporës

Për herë të parë në këto zgjedhje voton edhe diaspora. Ky proces realizohet përmes postës. Vota e emigrantëve do të numërohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe do të llogaritet sikur qytetari të kishte votuar në qarkun, ku ai banonte në Shqipëri.

Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, për shkak se ka pasur pakënaqësi nga partitë politike, të cilat e kanë akuzuar KQZ-në për parregullsi, si p.sh. se zarfi ka mbërritur pa fletën e votimit apo se nuk ka shkuar adresën.

Sistemi i votimit

Për këto zgjedhje është miratuar një sistem i ri zgjedhor që përfshin një kombinim të listave të mbyllura dhe të hapura. Rreth një e treta e listës së kandidatëve është e mbyllur, dhe emrat janë të fiksuar nga kryetari, ndërsa dy të tretat e tjera janë të hapura. Për këta të fundit këtë herë nuk do të ketë prag. Në fletën e votimit ata janë të vendosur në rend alfabetik, por pas numërimit të votave do të rirenditen dhe më të votuarit do të dalin në krye.

Subjektet politike:

Në garë për sa më shumë vende në Kuvend janë 11 subjekte zgjedhore.

-Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
Partia Lëvizja Bashkë
Lëvizja Atdheu
Koalicioni Euroatlantik
Partia Socialiste
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
Aleanca Kombëtare Shqiptare
Aleanca Demokracia e Re
Koalicioni Djathtas për Zhvillim
Partia Mundësia
Partia Social Demokrate

(Renditja sipas numrit rendor në fletën e votimit)

Si ndahen mandatet sipas qarqeve:

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark.Sipas listës së miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbi ndarjen e mandateve në 12 qarqet e vendit, 140 karriget në Kuvend ndahen si më poshtë:

1-Qarku Berat 7 mandate

2-Qarku Dibër 5 mandate

3-Qarku Durrës 14 mandate

4-Qarku Elbasan 14 mandate

5-Qarku Fier 16 mandate

6-Qarku Gjirokastër 4 mandate

7-Qarku Korçë 10 mandate

8-Qarku Kukës 3 mandate

9-Qarku Lezhë 7 mandate

10-Qarku Shkodër 11 mandate

11-Qarku Tiranë 37 mandate

12-Qarku Vlorë 12 mandate

The post Shqipëria voton sot, 3.7 milionë votues do të zgjedhin qeverinë dhe parlamenin e ri appeared first on GIJOTINA.