PD denoncon blerje votash në Kolonjë: Administrata e bashkisë po shpërndan para dhe po manipulon procesin

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Korçës, Elton Çaçani, ka ngritur një alarm të fortë publik lidhur me situatën e rënduar zgjedhore në Kolonjë, duke akuzuar drejtpërdrejt administratën e Bashkisë për përfshirje në aktivitete të paligjshme në funksion të manipulimit të votës.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai i ka bërë thirrje urgjente Task-Forcës së SPAK dhe institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur atë që ai e cilëson si një krim elektoral të organizuar dhe të përsëritur.

Sipas denoncimit, strukturat e bashkisë janë duke shpërndarë para për blerjen e votës, ndërkohë që kanë ushtruar presion mbi qytetarët në këto momente kritike të procesit zgjedhor.

“Po dalin natën, në ditën e fundit, për të ndarë paratë e krimit dhe të korrupsionit”, thuhet në reagimin e kandidatit, duke shtuar se janë bërë përpjekje për të nxjerrë fletë votimi nga qendrat e votimit me qëllim manipulimin e rezultatit.

Ai thekson se Partia Demokratike është në dijeni të planeve për të ndërhyrë edhe gjatë ditës së zgjedhjeve dhe i bën thirrje të gjitha strukturave, veçanërisht komisionerëve të PD-së, të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë për çdo përpjekje për manipulim apo shkelje të ligjit.

The post PD denoncon blerje votash në Kolonjë: Administrata e bashkisë po shpërndan para dhe po manipulon procesin appeared first on GIJOTINA.