Pas ekstradimit nga Dubai më 2 maj, Florenc Çapja është paraqitur sot para Gjykatës së Posaçme, ku GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjatë seancës, Çapja ka kundërshtuar ashpër vendimin e prokurorisë, duke pretenduar se ndaj tij “nuk është kryer asnjë veprim hetimor” dhe se “është dënuar vetëm me dëshminë e Ervis Bardhit”.
Në vijim të deklaratës së tij para trupit gjykues, ai ka mohuar lidhjen me komunikimet në platformën e enkriptuar SKY ECC, që sipas dosjes së hetimit ka shërbyer si provë e rëndësishme për ndërtimin e skemës kriminale. “Nuk kam qenë asnjëherë përdorues i SKY ECC,” është shprehur Çapja.
Ai ka shtuar gjithashtu se nuk është ekstraduar me forcë nga Emiratet, por ka ardhur vetë me dëshirën e tij: “Kam qenë më parë në Stamboll dhe kam pasur mundësi të largohem. Nuk jam ekstraduar, por kam ardhur me dëshirë.”
Në dëshminë e tij, ai ka mohuar gjithashtu të ketë pasur kontakte me kreun e SPAK, Altin Dumani, lidhur me dëshmitarin Sokol Sanxhaktari: “Nuk i kam kërkuar asgjë Dumanit për Sokol Sanxhaktarin.”
Por sulmet më të forta, Florenc Çapja i drejtoi ndaj vetë SPAK-ut, të cilin e akuzoi se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz për zbardhjen e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit, dy viktimat e një prej ngjarjeve më të rënda të Elbasanit.
“SPAK nuk ka kryer asnjë hetim për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri. Jam dënuar vetëm me thëniet e një dëshmitari të manipuluar,” deklaroi ai.
Çapja, i konsideruar një emër i rëndësishëm i botës së krimit të organizuar në Shqipëri, akuzohet për disa vepra të rënda penale, ndër to: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Në vendimin Nr. 45, datë 05.05.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke u mbështetur në nenet 228, 229, 230, 238, 248, 249 dhe 466 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi që Çapja të qëndrojë në “arrest në burg”, masë kjo e caktuar më herët me vendimin Nr. 42, datë 17.05.2022.
Ekzekutimi i vendimit i është ngarkuar Prokurorisë së Posaçme, ndërkohë që palët kanë të drejtë të ankimojnë brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Me këtë zhvillim, një nga dosjet më të ndjeshme të krimit të organizuar në vend hyn në një fazë të re, ndërsa vëmendja është e përqendruar mbi hetimet që pritet të thellohen pas rikthimit të Çapjas në territorin shqiptar.
The post “Nuk më ekstraduat, erdha vetë”, Florenc Çapja mohon akuzat për vrasje appeared first on Lapsi.al.