Dinamo në finalen e Kupës me “poker”: Vllaznia rikuperon tre gola, por nuk mjafton

Në një përballje spektakolare të zhvilluar në “Elbasan Arena”, Dinamo siguroi një vend në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë pasi mposhti me rezultatin 4-3 skuadrën e Vllaznisë në takimin e dytë gjysmëfinal. Pas barazimit pa gola në Shkodër, kryeqytetasit shpërthyen me një paraqitje mbresëlënëse, duke kaluar fillimisht në avantazh të thellë prej 4-0.

Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela ishin protagonistët absolutë për blutë, me nga dy gola secili. Fillimisht ishte Mandela që zhbllokoi shifrat në minutën e 17-të, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asisti të Zabërgjës. Më pas, vetë Zabërgja përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Jukaj në minutën e 36-të dhe dyfishoi epërsinë. Vetëm katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Nani organizoi një aksion të shpejtë nga e djathta dhe shërbeu saktë për Mandelën, që shënoi golin e tretë. Ndërkohë, në minutën e 59-të, Zabërgja konfirmoi formën e tij të shkëlqyer duke realizuar edhe nga pika e bardhë.

Por, kur dukej se gjithçka kishte marrë fund për Vllazninë, skuadra e drejtuar nga Thomas Brdariç reagoi me krenari. Vendimtare lëvizja e teknikut me Kahrimanovic e Grudën në fushë. Pikërisht ky i fundit shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes dinamovite në minutën e 71′ dhe shkurtoi diferencën. Gruda shënoi me vetëm 9 minuta në lojë, ndërsa goli i dytë erdhi në minutën e 79′, kur Balaj u koordinua në mënyrë perfekte me një harkim të Kahrimanoviç dhe gjeti rrjetën me kokë. Vetëm gjashtë minuta më pas, vetë Kahrimanoviç realizoi golin e tretë për kuqeblutë pas një veprimi të shpejtë në zonë.

Pavarësisht tensionit në minutat e fundit, Dinamo arriti të mbante epërsinë dhe siguroi kualifikimin. Tashmë, skuadra e Ilir Dajës do të ketë mundësinë të luftojë për trofeun në finalen e madhe, ku do të përballet me fituesin e çiftit Partizani–Egnatia.

GOLAT E NDESHJES

 

 

 

 

 

 

The post Dinamo në finalen e Kupës me “poker”: Vllaznia rikuperon tre gola, por nuk mjafton appeared first on Lapsi.al.