Hakohen email-et e prokurorëve/ Dy në pranga, SPAK: Ja informacionet që janë marrë

Me anë të një deklarate për mediat, SPAK ka konfirmuar se persona të paautorizuar kanë arritur të futen në emailet e prokurorëve, duke arritur të marrin disa informacione, por nuk kanë mundur të depërtojnë në dosjet hetimore. Madje, theksohet se është tentuar të futen edhe në emailin e kreut të këtij institucioni, por pa mundur.

Dy persona janë arrestuar lidhur me rastin.

Prokuroria e Posaçme bën me dije se mori informacion në datën 12 mars 2025 se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të SPAK.

“Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses”, njofton SPAK.

Po ashtu, theksohet se është bërë i mundur identifikimi i personit që ka kryer ndërhyrjen dhe arrestimi i tij së bashku me një tjetër person, i cili dyshohet se ia ka shpërndarë këto të dhëna palëve të treta.

“Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar. Prokurori i çështjes, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, ka urdhëruar personat të cilët kanë rënë në posedim të këtyre informacioneve të mos i publikojnë ato. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar dhe kanë poseduar informacionet”.

“Paralelisht me procedimin penal, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin e brendshëm administrativ, i cili konfirmoi se  sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar. Njëkohësisht, janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse të sistemeve i përgjithshëm i IT-së të institucionit. Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK. SPAK siguron publikun dhe të gjitha palët e interesuara se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së  institucionit. Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal”, njofton SPAK.

The post Hakohen email-et e prokurorëve/ Dy në pranga, SPAK: Ja informacionet që janë marrë appeared first on GIJOTINA.