Egnatia e mbyll me barazimet: Tetova fundos Bylisin e arratiset në krye

Pas tre barazimesh radhazi, Egnatia më në fund rikthehet te fitorja, duke triumfuar 2-0 ndaj Bylisit në stadiumin “Adush Muça”. Një gol i shënuar nga Lushkja në fillim të pjesës së dytë dhe një tjetër nga Guindo në minutën e 74’ i dhanë skuadrës së Edlir Tetovës një fitore të rëndësishme, e cila e ndihmon të ruajë kreun e renditjes së Superiores.

Që në minutat e para, Bylisi u tregua i rrezikshëm me një tentativë të Ibrahim në minutën e 2’, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit. Egnatia reagoi në minutën e 9’ me një mundësi të mirë për Lushkjan, i cili nuk u koordinua siç duhet brenda zonës dhe shpërdoroi një rast të artë për të kaluar skuadrën e tij në avantazh.

Në minutën e 37’, Bruno shpëtoi portën e Bylis duke ndalur një gjuajtje të rrezikshme të Fernandos që po shkonte drejt rrjetës. Dy minuta më vonë, rrogozhinasit ishin sërish afër golit kur një goditje e Xhemajlit u devijua nga Ilieski dhe për pak sa nuk përfundoi në portë, me portierin Batista të mbetur i palëvizur.

Egnatia siguron fitoren në pjesën e dytë

Pasi pjesa e parë u mbyll pa gola, Egnatia gjeti rrugën e rrjetës menjëherë pas rifillimit të lojës. Në minutën e 48’, një harkim i saktë i Fernandos gjeti Lushkjan brenda zonës, i cili u koordinua mjaft mirë dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Bylisi u përpoq të reagojë dhe në minutën e 67’ pretendoi për një penallti, por gjyqtari Jorgji nuk ishte i këtij mendimi dhe la lojën të vijonte. Në minutën e 74’, rrogozhinasit shfrytëzuan një kundërsulm të shpejtë, ku Ujka shërbeu për Guindon, i cili me një finalizim të saktë brenda zonës dyfishoi avantazhin dhe vulosi fitoren e Egnatias.

Në minutën e 77’, Bylisi pati një tjetër mundësi me Kameran, por tentativa e tij përfundoi ngjitur me shtyllën, duke i lënë mallakastriotët pa shpresë për të marrë një rezultat pozitiv nga kjo sfidë.
Renditja dhe sfidat e ardhshme

Pas këtij triumfi, Egnatia kryeson renditjen me 58 pikë, duke u shkëputur me 4 pikë nga Dinamo dhe me 6 nga Vllaznia, që ndodhet në vendin e tretë. Ndërkohë, Bylisi mbetet në vendin e parafundit me 33 pikë, me të njëjtën kuotë pikësh si Skënderbeu dhe Laçi, por në një pozitë delikate në luftën për mbijetesë.

Në ndeshjen e radhës, Bylisi do të përballet me Vllazninë, ndërsa Egnatia pret Elbasanin me synimin për të konsoliduar pozitat në krye të tabelës.

The post Egnatia e mbyll me barazimet: Tetova fundos Bylisin e arratiset në krye appeared first on Lapsi.al.