Vllaznia eliminon Elbasanin pas penalltive, kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës

Vllaznia është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë teksa ka mundur Elbasanin.

Shkodranët triumfuan ndaj Elbasanit pas penalltive, për shkak se 120 minutat lojë u mbyllën në barazim spektakolar 3-3.

Vllaznia kaloi e para në avantazh në minutën e 16-të, pas një autogoli të Bledar Lilës.

Megjithatë miqtë nuk u dorëzuan dhe përmbysën gjithçka, falë dopietës së shënuar nga Xhonatan Lajthia.

Vllaznia barazoi shifrat me Gurishtën në minutën e 57-të. Krymi riktheu avantazhin e vendasve në minutën e 91-të, duke krijuar idenë e kualifikimit, por vetëm 2 minuta më vonë, Olberkis barazoi për 3-3, duke e çuar sfidën në shtesa dhe më pas te penalltitë.

Nga pika e bardhë ishin lojtarët e Vllaznisë ata që u treguan më të saktë, duke fituar me shifrat 5-4, duke u kualifikuar kështu për në gjysmëfinale. Vllaznia bëhet kështu skuadra e dytë që arrin kualifikimin në këtë fazë të kompeticionit, pas Partizanit i cili mposhti 2-1 skuadrën e Laçit.

Në përfundimin e ndeshjes trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenovic doli në prononcim për mediat.

“Sot na mungoi fati, asgjë tjetër. Bravo djemtë. Unë nuk mund të kërkoj asgjë më shumë nga djemtë, shënuan 3 gola në Shkodër, të humbësh me penallti kjo është pak shans, vetëm bravo mund t’i them. Ky është futbolli, e uroj ekipin e Vllaznisë për fitoren dhe suksese në gjysmëfinale.

Nuk kishim frikë, djemtë luajtën shumë mirë dhe treguan mentalitet të fortë. Ishim pak të lodhur sepse vetëm para tre ditësh luajtëm ndaj Vllaznisë një ndeshje të fortë. Jemi patjetër të mërzitur, ishim shumë afër kalimit të turit. Luajtëm një futboll të hapur, pak fati pak përqëndrimi bënë të veten. Tani duhet të shikojmë përpara sepse kemi një ndeshje të rëndësishme”, tha ai.

The post Vllaznia eliminon Elbasanin pas penalltive, kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës appeared first on GIJOTINA.