I moshuari u gjet i pajetë në Tiranë, kthesë në hetime/ Konfirmohet se është vrarë

Kthesë në hetimet për vdekjen e Xhelal Metës, i cili u gjet i pajetë dy ditë më parë në Zall-Bastar të Tiranës, në oborrin e banesës private ku jetonte i vetëm.

Grupi hetimor ka arritur në konkluzionin se 81-vjeçari është vrarë.

“Me datë 13.01.2025, rreth orës 09:00, në Zall-Bastar, është gjetur pa shenja jete në oborrin e banesës së tij shtetasi Xh.M., rreth 81 vjeç. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të ndërrimit të jetës”, tha zyrtarisht policia në njoftimin paraprak për ngjarjen.

Fillimisht, vdekja e të moshuarit u dyshua se ishte shkaktuar për shkaqe natyrale dhe dëmtimet që u konstatuan në pjesën e kokës u mendua se ishin shkaktuar nga rrëzimi.

Megjithatë, ekspertiza mjekoligjore zbuloi se dëmtimi në pjesën e pasme të kokës ishte shkaktuar nga goditje me sende të forta.

Policia konfirmoi këtë të mërkurë se ka regjistruar ngjarjen për veprën penale “Vrasje me dashje”. Autori i krimit, ende nuk është identifikuar.

“Në vijim të informacionit të dhënë me datë 13.01.2025, i cili bën fjalën për gjetjen pa shenja jete të shtetasit Xh.M, në oborrin e banesës së tij, në Zall-Bastar, ju bëjmë me dije se: Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake si dhe ekzaminimit mjeko-ligjor ka rezultuar se shtetasi Xh.M, ka dëmtime në pjesën e pasme të kokës, të dyshuara të shkaktuara nga goditje me sende të forta”, tha policia.

Paraprakisht, në lidhje me këtë ngjarje nga ana e DVP Tiranë, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i kodit penal, shtuan të njëjtat burime.

“Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor dhe për përcaktimin rrethanave konkrete të ngjarjes dhe shkaqeve të humbjes se jetës së shtetasit Xh.M.”, mbyllet njoftimi i bluve.

Burime policore thanë se janë marrë në pyetje banorë të fshatit dhe familjarë të viktimës. Këta të fundit kanë deklaruar se nuk ishin dijeni që 81-vjeçari të ketë pasur ndonjë konflikt.