Shkon në 15 numri i personave që kanë humbur jetën nga sulmi në New Orleans të SHBA-ve. Në një deklaratë zyrtare nga mjeku ligjor i New Orleans Dr. Dwight McKenna tha se edhe 35 të tjerë janë të lënduar pasi një 42-vjeçar hyri qëllimisht në mes turmës së njerëzve duke i përplasur me një kamionçinë.
“Deri tani janë 15 të vdekur. Do të duhen disa ditë për të kryer të gjitha autopsitë. Pasi të përfundojmë autopsitë dhe të bisedojmë me të afërmit, do të publikojmë identitetin e viktimave”, – thuhet në deklaratën e McKenna. Ai shtoi se zyra e tij po punon në koordinim “me Departamentin e Policisë së New Orleans, FBI-në dhe Sigurinë Kombëtare”.
Hetuesit janë duke verifikuar nëse autori i identifikuar si Shamsud-Din Jabbar ka pasur bashkëpunëtorë. Agjentët federalë kanë arritur në përfundimin se 3 burra dhe një grua të fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën ku u gjet një mjet shpërthyes nuk ishin të përfshirë në ngjarje..
Megjithatë hetimi i FBI-së për sulmin vdekjeprurës është në zhvillim dhe hetuesit janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë nëse persona të tjerë mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarje. FBI po e heton incidentin vdekjeprurës si një “akt terrorizmi”, tha byroja në një deklaratë.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pikëpamjet politike ose fetare të të dyshuarit dhe nëse personi është i lidhur me një organizatë të njohur terroriste. Më herët u njoftua se në makinën e tij u gjet një flamur i ISIS.
Kamioni i përdorur në sulm ishte i listuar në një faqe të marrjes me qira të makinave. CNN konfirmoi se kamioni nuk i përkiste të dyshuarit. Automjeti është në pronësi të një personi nga Houston. ©LAPSI.al
The post Rëndohet bilanci i masakrës në New Orleans, po kërkohen bashkëpunëtorët e autorit appeared first on Lapsi.al.