Skandali te “Shefqet Ndroqi”/ I mori 8 mln lekë pacientes me Covid, lirohet Tire Alldervishi

Gjykata e Tiranës ka marrë vendim për të akuzuarit që u zhvatën para pacientëve tek Sanatoriumi, skandal i ndodhur gjatë periudhës së COVID-19.

Gjykata ka dënuar me 4 vite burg sanitaren Tire Alldervishi,  por duke qenë se ekzekutimi i këtij dënimi ka filluar që nga dita që është arrestuar, 12 janar 2021, togat e zeza urdhëruan pezullimin e dënimit me burg për 11 muajt e mbetur.

Për këtë arsye, është vendosur që e pandehura të vihet në shërbim prove për 22 muaj me kusht që gjatë kohës së provës, e pandehura të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Nga ana tjetët, infermerët; Mira Bushi, Sheqerije Koci, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj që akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe shpërdorim detyre, janë deklaruar të pafajshëm.

E pafajshme është shpallur dhe sanitarja Rukije Hoxhaj.

Kujtojmë se Porkuroria e Tiranës në konkluzionet saj përfundimtare për skandalin “Tire” gjatë kohës së COVID 19, kishte kërkuar dënimin e Tire Alldervishit me 7 vite burgim për veprën penale, të “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe që ka sjelle pasoja të rënda.

Nga 6 vite burg prokurori Bledar Valikaj ka kërkuar për infermjeret Sheqerije Koci, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj. Ato akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe shpërdorim detyre.

Prokuroria kërkoi 6 vite burg edhe për sanitaren tjeter Rukije Hoxhaj.

Skandali “Tire” u publikua për herë të parë në një emision investigative dhe nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo duke u prezantuar si infermiere familjarëve të pacientëve që ishin të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, merrte para në kërkim të shërbimit. Po ashtu Tire u filmua nga një vajzë të cilës arriti t’i zhvaste rreth 8 milionë lekë, duke i premtuar se do kujdesej për nënën e saj që ishte me Covid-19.

Por pacientja ndërroi jetë. Procesi gjyqësorë është zhvilluar me gjykim të zakonshëm prandaj ka zgjatur në kohë ndërkohë që Tire Alldervishi ishte në masën e arrestit në shtëpi.