Egnatia merr Superkupën ndaj Kukësit dhe bën tripletë me trofe

Egnatia është Superkampione e Shqipërisë. Rrogozhinasit triumfuan 2-0 në “Arenën Kombëtare” përballë Kukësit, duke fituar kështu trofeun e parë të sezonit, një trofe që nuk vlen asnjë qindarkë fitim për klubin.

Egnatia si kampione dhe fituese e Kupës, u përballë me Kukësin si finaliste e Kupës sezonin e kaluar, me verilindorët që nuk arritën dot t’i rezistonin “furisë” së rrogozhinasve.

Këta ta fundit e nisën mjaft mirë takimin, duke kaluar në avantazh në me Ujkën në minutën e 19’ të takimit.

Pjesa e dytë gjithashtu foli për kampionët e Shqipërisë, të cilët shënuan të dytin në minutën e 84’ me Bakayokon, duke “hipotekuar” trofeun dhe duke kompletuar “Tripletën” (Kampionat, Kupë, Superkupë).

Kjo është Superkupa e parë për Egnatian, e cila triumfoi në një stadium thuajse bosh, me vetëm 800 tifozë zyrtarë në shkallët e stadiumit, duke mbushur thuajse vetëm 5% të kapacitetit të tij.

Por rrogozhinasit nuk janë skuadra e parë që e ka arritur një sukses të tillë. Para tyre, në vitin 2018, këtë e bënte realitet skuadra e Skënderbeut, e cila nën drejtimin e Ilir Dajës dominoi plotësisht futbollin shqiptar në atë edicion.

Korçarët fituan titullin në Superiore në vitin 2018, ndërsa më pas mposhtën Laçin në finalen e Kupës së Shqipërisë me shifrat 1-0. Kurbinasit ishin rivalët e korçarëve edhe në ndeshjen e Superkupës, ku Skënderbeu fitoi me shifrat 3-2 dhe plotësuan kësisoj dominimin e plotë në futbollin shqiptar.

REZULTATI:

EGNATIA 2-0 KUKËSI

Ujka 19’, Bakayoko 84’

The post Egnatia merr Superkupën ndaj Kukësit dhe bën tripletë me trofe appeared first on GIJOTINA.