Tension në RMV/ Flamuri shqiptar u dogj dhe u shkel në 28 nëntor (PAMJET)

Festat kombëtare shqiptare janë shoqëruar me trazira në Shkup të Maqedonisë së Veriut (RMV). Simbolet kombëtare maqedonase dhe ato shqiptare janë djegur nga persona ende të paidentifikuar. 8 persona janë arrestuar lidhur me djegien e flamurit maqedonas, raportojnë mediat.

Incidenti ndodhi në lagjen Bit Pazar të komunës së Çairit në Shkup, gjatë kremtimeve me rastin e 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që shqiptarët e kremtojnë edhe si festën e Flamurit Kombëtar.

Ministria e Brendshme e RMV tha se në mesin e të arrestuarve është një i mitur ndërsa të tjerët janë nga 18 deri 21 vjeç. Katër prej tyre dyshohen për veprën “nxitje e urrejtjes ndëretnike, racore dhe fetare, dhe grindje e mosdurim”, e dënueshme deri në një vit heqje lirie. 

Pamjet e transmetuara në rrjetet sociale të incidentit nxitën reagime të ashpra të partive politike në vend.

LEXO EDHE: Festimet për 28 Nëntorin, polici maqedons shkul flamurin shqiptar nga shtylla (VIDEO)

VMRO-DPMNE në pushtet bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë, ndërsa vlerësoi se, siç thuhet, ngjarja ka prapavijë politikë dhe kishte për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe tensioneve etnike.

Lidhja Social Demokrate në opozitë, akuzoi pushtetin dhe Ministrin e Rendit, Pançe Toshkovski për “mungesën e veprimeve për parandalim, kontroll dhe të ndërhyrjes së shpejtë për pengimin e incidenteve”, ndërsa kërkon dorëheqjen e ministrit.

Edhe koalicioni VLEN i partive shqiptare, që është pjesë e qeverisë, e dënon incidentin ndërsa akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim se në këtë mënyrë po përpiqet “ta destabilizojë vendin”. 

LEXO EDHE: Djegia e flamurit të Maqedonisë së Veriut në Shkup, 8 të arrestuar

Ndërkohë partitë shqiptare të opozitës, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, duke e dënuar incidentin, njoftuan për një incident të djegies së flamuri shqiptar dhe shprehën shqetësim për, siç thanë, “qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë”, e cila ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidente.

BDI thotë se ishte policia ajo që nxiti incidentin duke bllokuar rrugët dhe ndaluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në festën e mbrëmshme në sheshin Skënderbe të Shkupit. 

The post Tension në RMV/ Flamuri shqiptar u dogj dhe u shkel në 28 nëntor (PAMJET) appeared first on Lapsi.al.