Përfundon protesta/ Bardhi: U dhunuan qytetarët; Noka: Kërkojmë qeveri teknike!

Përfundon pas 3 orësh protesta e opozitës. Protestuesit janë larguar dhe ka nisur lëvizja e mjeteve në këto pika kyçe. Deputetët ishin ndarë në disa grupe në pikat kyçe të Tiranës, si Bashkia, Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, “Rruga e Elbasanit”, “Sheshi Willson” dhe “Pallati me Shigjeta”.

Protesta e opozitës nisi me tensione që në minutat e para, pasi policia kundërshtonte bllokimin e akseve në kryeqytet. Deputetët e opozitës nga ana tjetër kundërshtuan efektivët dhe u përplasën fizikisht me ta.

Deri më tani ka disa të shoqëruar nga policia, ndërsa disa persona janë lënduar nga uji me presion dhe goditjet e policisë.

Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së tha se opozita është në detyrën e saj të mosbindjes civile.

“Ne kemi vetëm një kërkesë: Shqipëria ka nevojë për zgjidhje politike. Ne situatën kur korrupsioni po rrënon Shqipërinë, në kushtet kur vendi po shpopullohet, kur krimi ka marrë frenat në dorë, qeveria teknike është e domosdoshme. Askush nuk mund të shpresojë për votë të lirë përsa kohë Edi Rama është në pushtet”, tha Noka.

Ai tha se rezoluta e CDI dhe PPE thotë këto që ne themi sot: opozitës i janë mbyllur hapësirat kushtetuese, që drejtësia është kthyer në armë politike kundër opozitës, që korrupsioni është endemik, që krimi i organizuar ka marrë gjithçka në dorë. Në këtë kuadër, Noka tha se opozita nuk do të tërhiqet deri në realizimin e misionit të saj.

Noka tha se në 2017-ën ka pasur një bashkëqeverisje dhe jo qeveri teknike.

 

 

“Bashkëqeverisja për 3 muaj është tjetër gjë, ndërsa qeveria teknik tjetër gjë. Qeveria teknike do të thotë se Edi Rama mos jetë Kryeministër, bashkë me ministrat e tij”, tha Noka.

Ai tha se Edi Rama në panik ka vendosur në të gjithë pozicionet drejtuese të Policisë së Shtetit kupolën e krimit.
“Mosbindja civile do të vijojë”, paralajmëroi Noka.

Ndërsa ish-deputeti i PD Bardh Spahia, në një prononcim tha se mosbindja civile sot në Tiranë ka qenë tepër qytetare nga ana e protestuesve.

Spahia deklaroi se reagimi i policisë ishte joproporcional. Sipas tij, qytetarët sot protestojnë për korrupsionin e përhapur kudo dhe për krimin që po bën namin në vend. “Një protestues i moshuar pati probleme, por për pak minuta u stabilizua dhe vijoi normalisht. Normalisht si mjek i dhashë ndihmën. Ishte rast që tregon vështirësitë me të cilat përballen këto qytetarë, kur protestojnë. Mosbindja civile ishte qytetare. Reagimi nga policia ishte joproporcional. Opozita proteston për kapjen e gjitha pushteteve të Ramës, të drejtësisë, ekzekutivit, legjislativit. Ka dhe arsye pa fund ekonomike, për të protestuar sot.

Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, në përfundim të protestës së opozitës, tha se ishte një protestë tërësisht paqësore dhe e ligjshme.

“Pa asnjë shkak, në mënyrë anti-ligjore, Policia vendosi të dhunojë qytetarët, duke përdorur të gjitha mjetet që përdoren në protestat e dhunshme, ndërsa protesta ishte paqësore.

Nëse sot kjo polici do të ishte kaq agresive ndaj krimit, sot do të kishin zbatuar urdhër-arrestet e SPAK në Elbasan. Nuk arrestuan askënd këtu, të vetmit që u arrestuan ishin ata jashtë Shqipërisë”, tha Bardhi.

Ai tha se punonjësit e policisë ishin pa një numër identifikimi, duke shtuar se “ne nuk e dimë nëse ishin anëtarë të bandave apo patronazhistë që ishin urdhëruar për të dhunuar mbështetësit e opozitës”.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se përdorimi i forcës ndaj një proteste paqësore ishte tej asaj që përcakton ligji.

“Ne protestën e çuam deri në fund, sipas asaj që ishte planifikuar protestuesit do të mblidhen në Bashkinë e Tiranës. Kemi një polici që lag e sulmon qytetarët dhe i ve ombrellën mbrojtëse krimit të organizuar”, tha Bardhi.

Por si do të veprojë opozita pas kësaj proteste?

Bardhi tha se do të veprohet rast pas rasti dhe mediat do e mësojnë të parët planin opozitar.  Bardhi tha se do të jenë qytetarët ata që do të përcaktojnë se çfarë do të ndodhë.

gijotina.com/

The post Përfundon protesta/ Bardhi: U dhunuan qytetarët; Noka: Kërkojmë qeveri teknike! appeared first on GIJOTINA.